Një gjë është e sigurt. Sipas bindjes sime, njerëzit me prirje kriminogjene janë, në thelb, anti-intelektualë. Jo sepse u mungon zgjuarsia për mbrapsht. Përkundrazi, shumë prej tyre janë jashtëzakonisht të shkathët.
Fatkeqësisht, aftësinë e tyre nuk e përdorin për të menduar, por për të mashtruar, nuk e përdorin për të krijuar, por për të manipuluar, nuk e përdorin për të ndërtuar, por për të gjetur rrugë sa më të shkurtra drejt pasurmit marramendës mbi kurrizin e popullit, i cili e mbush buxhetin e shtetit, përmes taksave dhe detyrimeve të tjera tatimore.
Ajo që u mungon nuk është inteligjenca, por ndërgjegjja. U mungon vetëdija etike, aftësia për vetëreflektim, respekti për të vërtetën, për ligjet e natyrës dhe për dinjitetin njerëzor. Dobësia e tyre më e madhe është bindja se çdo njeri blihet me para dhe se çdo e vërtetë negociohet. Për këtë arsye moralin e shohin si pengesë, ndërsa karakterin si një luks të panevojshëm.
Por pikërisht këtu fillon tragjikomedia e tyre. Ai që detyrohet të mbajë maskë çdo ditë, një ditë harron se cilën maskë e ka vënë. Ndërsa ai që jeton me gënjeshtra, herët a vonë i prodhon vetë provat kundër vetvetes. Prandaj konkurrentët politikë të Albin Kurtit nuk kanë nevojë për armiq. Armiku i tyre më i madh u del çdo mëngjes përballë në pasqyrë.
Fatkeqësisht, pasojat nuk bien vetëm mbi ta. Vendimet e tyre e gërryejnë besimin e qytetarëve në shtetin ligjor, në institucionet shtetërore dhe në vetë themelet mbi të cilat mbahet një shoqëri demokratike. Shpesh nuk ka nevojë t’i kritikosh. Mjafton t’i dëgjosh me kujdes. Çdo deklaratë e pamenduar, çdo veprim i nxituar dhe çdo kundërthënie bëhen prova të reja kundër tyre.
Prandaj Albin Kurti, në të vërtetë, nuk ka kundërshtarë politikë. Ai ka opozitarë që, pa e kuptuar fare, i bëjnë opozitë vetvetes. Ndërsa Përparim Rama duket se e ngatërron politikën me grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave.
Sipas logjikës së tij budallaqe, mjafton ta lash mbeturinën politike me detergjent, t’ia hedhësh një shtresë të re boje dhe ta rikthesh në treg si produkt krejtësisht të ri. Mirëpo ekziston një problem i vogël. Mbeturina mbetet mbeturinë. Sa më i madh që bëhet grumbulli aq më e padurueshme bëhet era e keqe për hundën.
As parfumi nuk e shndërron mbeturinën në trëndafil, as ambalazhi luksoz nuk ia ndryshon përmbajtjen dhe kutërbimin. Një fjongo e artë mbi një kosh plehrash nuk e kthen atë në monument artistik. Me sa duket, Përparim Rama e zotëron një talent të veçantë për grumbullimin e mbeturinave – jo vetëm politike, por edhe organike e inorganike. Riciklimi i tyre nuk duket se e shqetëson shumë.
Mjafton që ato të kthehen sa më shpejt në qarkullim. Sa më i madh bëhet grumbulli i mbeturinave politike, aq më pak kemi nevojë për analiza politike. Sepse aroma nuk njeh ideologji. Ajo nuk pyet nëse je majtas apo djathtas, në pushtet apo në opozitë. Ajo të hyn drejt e nga dritarja në hundë dhe të bind më shpejt se çdo fjalim elektoral.
Prandaj problemi i vërtetë nuk është se si të riciklohen mbeturinat politike. Problemi është pse Përparim Rama vazhdon t’i shes si mall të freskët. Në fund, qytetarët nuk e gjykojnë produktin nga ambalazhi, por nga era e padurueshme që del kur hapet kapaku.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron dallimi i vetëm mes mbeturinave të zakonshme dhe disa politikanëve: Mbeturinat, të paktën, nuk premtojnë se nesër do të mbajnë erë trëndafili. Në politikë, riciklimi është i dobishëm vetëm kur riciklohen idetë e mira, jo mbeturinat e këqija.
Sepse një mbeturinë politike, sado ta lash me detergjent, sado ta parfumosësh, sado t’ia ndërrrosh ambalazhin apo t’i ngjitësh një etiketë të re, nuk fiton vlerë. Ajo e vetëm ndryshon mënyrën se si serviret dhe shitet në tregun politik. Qytetarët mund të mashtrohen një herë, ndoshta edhe dy. Por jo pafundësisht.
Vjen një ditë kur aroma bëhet më e fortë se propaganda, kur faktet bëhen më të zhurmshme se sloganet dhe kur e vërteta del në sipërfaqe pa kërkuar leje nga askush. Në atë çast nuk bie maska e qytetarëve, por maska e atyre që për vite me radhë kanë menduar se populli ka kujtesë të shkurtër dhe hundë të bllokuar.
Historia ka dëshmuar një rregull të thjeshtë: mbeturinat politike nuk bëhen kurrë elitë politike. Ato vetëm grumbullohen, kutërbojnë dhe, në fund, përfundojnë aty ku e kanë vendin – në deponinë e historisë.
