Italia propozon “modelin shqiptar” për menaxhimin e emigrantëve në

0%

Italia synon ta zgjerojë në nivel të Bashkimit Evropian modelin e qendrave të migrantëve të ngritura në Shqipëri, duke propozuar krijimin e qendrave të pritjes dhe dëbimit në vende të treta të sigurta për migrantët që hyjnë në mënyrë të parregullt në territorin e BE-së.

Propozimi, i raportuar nga mediat kryesore italiane dhe i konfirmuar nga zyrtarët e qeverisë, pritet të paraqitet nga ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, që mbahet të martën.

Takimi është thirrur pas krizës së fundit migratore në Ceuta, enklavën spanjolle në Afrikën Veriore, ku gjatë ditëve të fundit dhjetëra mijëra migrantë kaluan me forcë kufirin drejt territorit spanjoll. Sipas planit italian, migrantët do të transferoheshin në qendra të ngritura në vende të treta të sigurta, ku do të shqyrtoheshin kërkesat e tyre për azil dhe procedurat e imigracionit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Mes vendeve që po shqyrtohen si pritëse përmendet edhe Uganda, ndërsa ende mbetet e paqartë mënyra e financimit të projektit.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se Italia, së bashku me Danimarkën, ka kërkuar një strategji të përbashkët evropiane për migracionin, me fokus zbatimin e Paktit për Migracionin dhe Azilin dhe përshpejtimin e kthimit të migrantëve që nuk kanë të drejtë qëndrimi.

Tajani përmendi gjithashtu mundësinë e ngritjes së qendrave të reja sipas modelit të Shqipërisë në disa vende afrikane, si dhe në shtetet e origjinës dhe tranzitit të migrantëve. Ndërkohë, ai kritikoi qasjen e qeverisë spanjolle ndaj migracionit, duke e cilësuar politikën e Madridit si tepër liberale.

Sipas tij, qëndrimi italian gëzon mbështetjen e shumicës së vendeve të BE-së dhe është në përputhje me linjën e Komisionit Evropian. Roma synon që qendrat e reja të financohen nga Bashkimi Evropian dhe të krijohet një rrjet objektesh jashtë territorit të bllokut për menaxhimin dhe kthimin e migrantëve të parregullt.

Në listën paraprake të vendeve pritëse përfshihen Gana, Senegali, Tunizia, Libia, Mauritania, Egjipti, Uganda, Etiopia, Uzbekistani, Armenia dhe Mali i Zi. Një tjetër element i planit është zbatimi më i rreptë i programit GSP+, i cili lidh përfitimet tregtare për vendet në zhvillim me bashkëpunimin e tyre në ripranimin e shtetasve që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Evropë.

Paralelisht, Italia synon ta bëjë plotësisht funksionale deri në fund të vitit qendrën e migrantëve në Gjadër, në Shqipëri. Ministri Piantedosi deklaroi se objekti do të rikthehet në funksion të plotë sapo të përfundojnë procedurat ligjore, duke u përdorur sipas rregullave të reja të Bashkimit Evropian.

Fillimisht, qendra ishte planifikuar të trajtonte deri në 3 mijë migrantë në muaj, ose rreth 36 mijë në vit, përmes procedurave të përshpejtuara të azilit. Megjithatë, që nga prilli i vitit të kaluar ajo është përdorur vetëm si qendër paraburgimi për kthime dhe deri më tani ka pritur vetëm disa qindra persona, ndërsa procesi është ngadalësuar.

Kompleksi Gjader përfshin tre objekte me funksione të ndryshme. Qendra më e madhe, për azilkërkuesit, ka 880 shtretër. Ekziston gjithashtu një njësi mbajtëse riatdhesimi (CPR) e drejtuar nga italianët me kapacitet për 144 persona dhe një burg të vogël mbajtës për 20 persona.

Në portin e Shëngjinit është ndërtuar një pikë fillestare pritjeje për të pritur migrantët e kapur në Mesdheun qendror dhe transferuar ata në bordin e një anijeje detare italiane.

Burimi: Telegrafi