Nga: Agron Gërguri “Etno Fest”-i përkatësisht fshati Kukaj tashmë është bërë adresë e trashëgimisë, identitetit dhe kreativitetit kulturor dhe artistik në përmasa ndërkombëtare.
Sivjet ndodhë edicioni i 16-të dhe për temë bosht është përzgjedhur KUJTESA, jo thjeshtë si një reprodukim i ngjarjeve e personaliteteve, frymës e dukurive, por si një reflektim mbi vlerat kulturore, artistike, profesionale e njerëzore në favor të një sistemi vlerash i cili në ambientin tonë kulturor është ende në kërkim, ndërsa “Etno Fest” po bëhet pikë referimi.
Kujtesa nuk nxirret nga e kaluara sa për mburrje a lavdi, por ajo merr funksion motivues për të sotmen për të gjetur rrugën e të ardhmes në të cilën thirremi dhe pretendojmë të dalim si njerëz, shoqëri e shtet.
Individë kreativ si qifti artistik Fadil Hysaj, Sheqerie Buqaj që ideuan dhe organizuan manifestimin multikulturor siç është “Etno Fest” bëhen urë lidhëse në këtë qarkullim të trashëgimisë të cilën e thërret kujtesa për ndërtim dhe përplotësim të identitetit kulturor dhe integrimit me kulturat tjera.
Gjuha e komunikimit është arti, piktura, skulptura, teatri si forma më e drejtpërdrejtë e të kujtuarit duke ndërtuar përmes të bukurës rrugën deri te vetja. Përmes “Etno Fest”-it kulturalisht sivjet selektohen pikat e kujtesës si ndjenjë kolektive dhe individuale.
Shfaqjet, ritet, rituali, biseda, kodifikimi i bisedës dikur, zbërthimi sot në këtë kohë të dixhitalizimit të gjithçkajes kujtojmë se fytyra njerëzore të cilën e përcaktojnë ndjenjat, emocionet regjenerohet përmes artit teatror, muzikës, bisedave, pikturave që prekin thellësi të harruara duke nxjerr në funksion ato që mbase i kemi harruar: mallin për të kaluarën, të vjetren e lënë në ndryshkë të kohës, komunikimin me shprehje që thonë po nuk lëndojnë, nuk prodhojnë konflkt, bukurinë e gabimit dhe shëmtin e suksesit.
Përtej saj e me qëllim mirënjohës sivjet do të kujtohen të gjitha ato ngjarje e personalitete që për qëllim imediat kishin dhe kanë të mobilizojnë frymën e njerëzillëkut që po shterret. Nuk ka kurrgjë më të përbashkët se njerëzorja dhe përmes regjenerimit të kujtesës kthehemi tek gëzimi i jetës, dashuria, pranimi, mirënjohja e bashkëpunimi.
Përmes artit kujtojmë përjetimet emocionale të dikurshme duke ndërtuar raporte të mirëqenies shpirtërore dhe mendore midis njerëzve në këtë pështjellim të madh kriteresh e vlerash ku ngarendja pas suksesit e ka eklipsuar të vërtetën të cilën e pretendojmë.
Në “Etno Fest” do kujtohen vargje që provokojnë vargje tjera, shfaqje që të bëjnë të reflektosh në frekuencë me këngët e Nexhmije Pagarushës, dramaturgjisë së Haqif Mulliqit, anekdotave të thëna aq bukurisht nga Salih Zogjani dhe shumë të tjerëve që nuk janë më porse emri i tyre vleror është gravuar në “Etno Fest”.
Vetë “Etno Fest”-i bëhet kujtesë e gravuar në palcën e shpirtit identitar ku teatrit, këngës, valleve, fjalës, ritualit i bashkëngjitet gastronomia tradicionale dhe të gjitha bëhen etno-mendim. Gjatë 8 ditë-netëve sa zgjatë festivali çdo takim bëhet vlerë që shpërthen në emocione duke prodhuar ndjenja të mira që ngjallin vlera njerëzore.
Aty rigjenerohen identiteti, dashuria dhe kujtesa si shprehje e mirënjohjes dhe shëmbëllim. Esenca e “Etno Fest”-it është tek modernia e cila respekton traditën dhe tek tradita e cila bëhet themel i modernes.
“Etno Fest”-i mbahet në Kukaj në këtë fshat, Muze i Trashëgimisë Kulturore ku jetohet me shpirtin e artit dhe ku mikpritja e respekti janë formë e komunikimit me të gjithë vizitorët e veçanërisht me mërgimtarët të cilët bëhen argument i kujtesës kulturore dhe historike. Mirë se vini në “Etno Fest”, edicioni i 16-të!
