Emantika e zemrës: Universi poetik i dashurisë

0%

Dashuria, jeta dhe vdekja përbëjnë tri temat themelore të letërsisë. Prej tyre, dashuria është një nga përvojat më të hershme njerëzore që është shndërruar në art dhe ka zënë një vend qendror në krijimtarinë poetike.

Që nga lirika e lashtë e deri te poezia bashkëkohore, ajo nuk ka qenë vetëm një gjendje emocionale ndërmjet dy individëve, por një kategori e rëndësishme estetike, filozofike dhe ekzistenciale, përmes së cilës poeti ka shprehur raportin e njeriut me veten, me tjetrin, me kohën dhe me kuptimin e jetës.

Në hapësirën e poezisë, dashuria është shndërruar vazhdimisht në një gjuhë të veçantë të shpirtit, ku ndërthuren dëshira, kujtesa, mungesa, vuajtja, bukuria dhe shpresa. Në këtë kuptim, titulli ky shkrim shpreh një përpjekje për të kuptuar jo vetëm atë që thuhet për dashurinë, por edhe mënyrën se si ajo ndërton kuptime brenda formave të ndryshme të ligjërimit poetik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

E zemra, si një nga simbolet më të hershme të ndjenjës njerëzore, në këtë vështrim nuk mbetet vetëm një figurë romantike, por bëhet një hapësirë ku ruhen kujtesa, përjetimi, dëshira dhe pyetjet themelore të qenies njerëzore.

Semantika e saj është e shumëfishtë: ajo flet për praninë dhe mungesën, për afërsinë dhe largimin, për gëzimin dhe plagën, për atë që njeriu e përjeton dhe për atë që nuk mund ta shprehë plotësisht me fjalë.

Vëllimi poetik “A ka ende dashuri?” i Gazmend Dashit ndërtohet mbi këtë traditë të gjerë të lirikës së dashurisë, duke e trajtuar ndjenjën jo vetëm si përvojë personale, por si një gjendje shpirtërore që kërkon të kapërcejë kufijtë e individit. Vetë titulli i librit shfaqet si një pyetje poetike dhe filozofike njëkohësisht.

Ai nuk kërkon vetëm një përgjigje mbi ekzistencën e dashurisë në marrëdhëniet njerëzore, por vë në diskutim vendin e saj në një botë ku lidhjet shpesh dobësohen nga ritmi i përshpejtuar i jetës dhe nga zbehja e komunikimit të thellë njerëzor. Në planin strukturor, ky vëllim organizohet si një rrëfim lirik me një logjikë të brendshme tematike dhe emocionale.

Poezitë nuk janë vendosur si një varg tekstesh të shkëputura e fragmentare, por krijojnë një udhëtim poetik nëpër shtresat e ndryshme të përvojës së dashurisë: kërkimi, zbulimi, idealizimi, pritja, mungesa, dhembja dhe shndërrimi i dashurisë në një vlerë universale.

Pikërisht kjo lëvizje nga përvoja individuale drejt kuptimit të përgjithshëm i jep veprës një arkitekturë të qartë kompozicionale dhe e afron me një koncept të gjerë të universit poetik të dashurisë. Në kapitullin e parë, “Ajo që quhet dashuri”, poeti vendos themelin konceptual të këtij universi.

Dashuria paraqitet jo si emocion i çastit, por si gjendje e qenies, si një mënyrë për ta kuptuar marrëdhënien me tjetrin dhe me vetveten. Subjekti lirik kërkon thelbin e saj përtej dukjes së jashtme, duke e parë si besnikëri, përkushtim dhe lidhje shpirtërore. Këtu shfaqet një prirje refleksive, ku lirika intime ndërthuret me meditimin filozofik.

Në këtë fazë të udhëtimit poetik, zemra bëhet vendi ku lind pyetja dhe ku kërkohet përgjigjja për kuptimin e dashurisë. Në kapitullin “Kënga e dashurisë së parë”, aktivizohet më fuqishëm poetika romantike e idealizimit.

Figura e së dashurës ndërtohet përmes një sistemi të pasur simbolesh dhe figurash poetike, ku drita, ylli, pranvera, deti, lumi dhe lulja shndërrohen në shenja të një bote estetike ku natyra dhe ndjenja bashkohen. Në këtë marrëdhënie ndërmjet peizazhit të jashtëm dhe gjendjes së brendshme natyra nuk është thjesht sfond dekorativ, por bëhet pasqyrë e shpirtit njerëzor.

Në këtë pjesë, figura femërore kalon nga portretizimi konkret drejt një simbolike më të gjerë. E dashura nuk është vetëm objekt i dashurisë, por bartëse e bukurisë, e harmonisë dhe e përsosmërisë shpirtërore. Në këtë mënyrë, poezia krijon një nga kuptimet themelore të semantikës së zemrës: kërkimin e një ideali përmes figurës së tjetrit.

Kapitulli “Në pritje të dashurisë” sjell një kthesë të rëndësishme në rrjedhën emocionale të vëllimit. Në vend të pranisë shfaqet mungesa; në vend të përjetimit të drejtpërdrejtë vjen kujtesa. Motivi i pritjes, një nga motivet më të fuqishme të traditës lirike, shndërrohet në një hapësirë ku dashuria vazhdon të jetojë edhe pas largimit.

Mungesa nuk është zbrazëti, por një formë tjetër e pranisë, sepse pikërisht prej saj lind fjala poetike. Në këto poezi ndërthuren lirika intime dhe ajo elegjiake. Subjekti lirik nuk përjeton vetëm humbjen e një personi, por edhe kalimin e kohës, ndryshimin e vetvetes dhe pamundësinë për ta rikthyer të shkuarën.

Këtu kujtesa bëhet mekanizëm i ruajtjes së dashurisë përtej kufijve fizikë të kohës. Te kapitulli “Malli që rrjedh si lumë” kemi një zgjerim të universiT poetik të dashurisë, duke e lidhur atë me kujtesën kolektive dhe traditën shqiptare. Burimi, mali, lumi, stani, fusha dhe kënga nuk janë vetëm elemente të natyrës, por shenja kulturore që bartin një trashëgimi shpirtërore.

Këtu dashuria personale bashkohet me kujtesën e një komuniteti dhe ndjenja individuale shndërrohet në këngë të përbashkët; apo, dhembja kolektive shprehet përmes shembullit të një subjekti lirik. Ky dimension është një nga vlerat më të rëndësishme të vëllimit, sepse tregon se dashuria nuk ekziston vetëm në hapësirën private të individit, por edhe në kujtesën e një kulture.

Zemra individuale takohet me zemrën kolektive, duke krijuar kështu një kuptim më të gjerë të përvojës njerëzore. Në pjesët ku dashuria shfaqet si plagë, pasion dhe dhembje, vëllimi arrin një nga shtresat më komplekse të vetëdijes lirike. Dashuria paraqitet në kundërthëniet e saj: si lumturi dhe vuajtje, si afërsi dhe humbje, si zjarr që ngroh dhe njëkohësisht djeg.

Këtu poezia largohet nga idealizimi dhe hyn në një zonë më të thellë ekzistenciale, ku ndjenja bëhet provë e karakterit njerëzor. Në fund të këtij udhëtimi poetik, dashuria kapërcen kufijtë e marrëdhënies intime dhe shndërrohet në kategori morale dhe njerëzore.

E, poezia “Engjëll nate me fjongë të bardhë” e zgjeron horizontin e librit, duke e paraqitur dashurinë si mëshirë, paqe dhe solidaritet me tjetrin. Në këtë pikë, universi poetik i dashurisë nuk kufizohet më te zemra individuale, por bëhet pjesë e një vizioni më të gjerë mbi njeriun dhe humanitetin.

Nga pikëpamja stilistike, poezia e këtij vëllimi mbështetet në një gjuhë simbolike, ku elementet e natyrës: zjarri, drita, uji, lumi, deti, lulja dhe ylli, funksionojnë si bartës të gjendjeve të brendshme, pikërisht siç është poezia klasike shqipe e frymës romantike.

Megjithathatë, në këtë vëllim kemi një rrjet më të komplikuar kuptimesh poetike, një semantikë më të figurshme, një dimension ku bota e jashtme dhe ajo e shpirtit zhvillojnë një dialog të vazhdueshëm. Në tërësi, “A ka ende dashuri?” është një vëllim që e ndërton botën e vet poetike mbi bindjen se dashuria mbetet një nga forcat themelore të ekzistencës njerëzore.

Ajo mund të heshtë, të largohet, të plagoset ose të shndërrohet në kujtim, por nuk zhduket për aq kohë sa njeriu e ruan aftësinë për ta përjetuar, për ta kujtuar dhe për ta kërkuar.

Prandaj, pyetja e titullit nuk është vetëm një dilemë poetike, por më shumë është një pohim i fshehtë: dashuria ende ekziston, mirëpo vetë aty ku zemra njerëzore vazhdon ta ruajë bukurinë, besnikërinë dhe shpresën.

E, pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i “Semantikës së zemrës”, si univers poetik i dashurisë; në aftësinë e poezisë për t’i dhënë kuptim asaj që njeriu e ndien thellë, por shpesh nuk arrin ta thotë. Besnik Jaha

Burimi: Bota Sot