Një ngjarje e rëndë, që dyshohet të ketë qenë një tentim për vrasje të rëndë, ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën e njohur si “Maja e Shkodranit” në Rahovec, ku tre të rinj pretendojnë se ranë në një pritë të organizuar nga një person i maskuar dhe i armatosur.
Sinjali mëson se viktimat janë E.B , 27 vjeçar , D.B 27 vjeçar dhe L.B , 25 vjeçar, ndërsa i dyshuari ende nuk është identifikuar. Sipas burimeve, rreth orës , tre të rinjtë po ktheheshin me një Volkswagen Golf 8 nga zona e Kalasë së Majës së Shkodranit, kur në rrugë kanë hasur në një pengesë dhe kanë ndaluar për ta larguar.
Në ato momente, nga mali ka dalë një person i maskuar, i veshur me uniformë ushtarake, me doreza të gjelbra dhe i armatosur me një armë të gjatë. Burimet bëjnë të ditur se ai i ka kërcënuar duke u kërkuar të dorëzonin të gjitha paratë që kishin me vete, me fjalët se, në të kundërtën, do t’i vriste.
Tre të rinjtë kanë refuzuar kërkesën dhe janë futur menjëherë në veturë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Në momentin kur automjeti ka nisur lëvizjen, i dyshuari ka shkrepur dy herë me armë zjarri në drejtim të tyre. Njëri nga plumbat ka goditur fellnen e pasme në anën e djathtë të veturës, ndërsa fatmirësisht asnjëri nga të rinjtë nuk është plagosur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipet relevante hetimore, të cilat kanë nisur ekzaminimin dhe grumbullimin e provave. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për identifikimin dhe arrestimin e personit të maskuar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
