“Çnjerëzore, është prekur edhe familja”, Përparim Rama reagon pas

0%

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas pretendimeve të fundit që kanë përfshirë shefin e kabinetit të tij, Florent Maliqi, duke i cilësuar ato si një fushatë denigruese dhe presion politik. Rama ka thënë se sulmet nuk janë ndalur vetëm te ai, por kanë përfshirë edhe bashkëpunëtorët e tij dhe familjarët, duke e cilësuar këtë si tejkalim të kufijve të debatit politik.

“Kjo nuk është më politikë. Është çnjerëzore”, ka shkruar Rama në profilin e tij zyrtar në Facebook. Ai ka deklaruar se çdo pretendim me interes publik duhet t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë, por ka kundërshtuar përdorimin e shpifjeve, fyerjeve dhe denigrimit si mjete politike. Më poshtë gjeni reagimin e plotë të të parit të Prishtinës: KJO NUK ËSHTË MË POLITIKË.

ËSHTË ÇNJERËZORE. T ë dashur qytetarë, Tash e sa kohë, përmes një fushate të orkestruar politike, janë përpjekur të më intimidojnë dhe të më diskreditojnë. Por, ditët e fundit shënuan kulmin e kësaj fushate të ulët, ku në shënjestër nuk jam më vetëm unë, por edhe bashkëpunëtorët e mi dhe bashkëshortja ime.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kur një betejë politike zbret në shpifje, fyerje dhe denigrim të familjarëve e njerëzve që nuk janë pjesë e përplasjes politike, nuk kemi më debat demokratik dhe as llogaridhënie. Kemi një përpjekje të vetëdijshme për të frikësuar dhe për të ushtruar presion. Kam vlerësuar faktin që çdo pretendim për interes publik t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë.

Kjo është rruga e vetme në një shtet demokratik. Por mos e fshihni denigrimin, gjuhën e urrejtjes dhe linçimin prapa pretendimit për interes publik! Po të ishte vërtet ky qëllimi, njerëzit që nuk kanë asnjë lidhje me pretendimet e ngritura nuk do të ishin bërë pjesë e një sulmi kaq të ulët dhe kaq të neveritshëm. Përfshirja e tyre nuk është llogaridhënie. Nuk është interes publik.

Është kalim i çdo kufiri njerëzor, moral dhe institucional. Edhe më shqetësues është fakti se kjo përmbajtje u përdor si instrument politik në Asamblenë e Kryeqytetit. Ky është treguesi më i qartë i degradimit të debatit publik dhe i standardit politik që disa kanë zgjedhur të përfaqësojnë. Ju siguroj se ky rast do të trajtohet deri në instancat më të larta të drejtësisë.

Jo vetëm për të mbrojtur të vërtetën, por edhe dinjitetin e njerëzve që u linçuan publikisht dhe padrejtësisht pa pasur asnjë lidhje me pretendimet e ngritura. Kushdo që ka marrë pjesë në orkestrimin, nxitjen apo përhapjen e kësaj fushate linçuese e denigruese do të identifikohet dhe do të mbajë përgjegjësi para drejtësisë.

Shteti ligjor nuk mund të lejojë që linçimi dhe denigrimi të përdoren si instrumente të veprimit politik. Kjo nuk është më politikë. Është çnjerëzore!

Burimi: Telegrafi