Ligji për çmimin e produkteve medicinale ka kontribuar në uljen e dallimeve të çmimeve të barnave në Kosovë, por zbatimi i tij është shoqëruar me vonesa, mungesa të përkohshme të disa produkteve dhe sfida të tjera institucionale, thuhet në një analizë të publikuar nga organizata Demokraci Plus (D+).
Analiza me titull “Transparenca dhe zbatimi i rregullimit të çmimeve të produkteve medicinale në Kosovë” vlerëson se miratimi i ligjit ishte një reformë e domosdoshme, pasi për më shumë se dy dekada qytetarët paguanin çmime të ndryshme për të njëjtin produkt medicinal në barnatore të ndryshme, ndërsa edhe institucionet publike, në disa raste, blinin barna me çmime më të larta se ato të tregut.
Megjithatë, sipas Demokraci Plus, reforma hasi në vështirësi gjatë zbatimit. Edhe pse ligji hyri në fuqi në vitin 2023, Lista e parë Zyrtare e Çmimeve nisi të zbatohej vetëm në shkurt të vitit 2025, për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme institucionale.
Organizata thekson se periudha tranzitore u karakterizua me mungesë të çmimeve të deklaruara për një numër produktesh, paqartësi në trajtimin e stoqeve ekzistuese dhe mungesa të përkohshme të disa barnave, përfshirë tretësirat infuzive NaCl. Në kuadër të hulumtimit, D+ realizoi edhe një anketë me qytetarë.
Sipas rezultateve, rreth 81 për qind e të anketuarve vazhdojnë të perceptojnë dallime në çmimet e barnave, ndërsa 40 për qind nuk janë të informuar se çmimi zyrtar i produktit medicinal është i shënuar në banderolë. Po ashtu, vetëm 5 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se kanë raportuar ndonjëherë raste të dyshuara të mospërputhjes së çmimeve.
Sipas analizës, kjo lidhet edhe me mungesën e një fushate të mirëfilltë informuese për publikun. Analiza identifikon edhe mangësi në modelin aktual të rregullimit të çmimeve. Sipas D+, ligji nuk mundëson negociimin e drejtpërdrejtë të çmimeve me kompanitë farmaceutike në raste të jashtëzakonshme, siç ishte sigurimi i vaksinave gjatë pandemisë COVID-19.
Gjithashtu, organizata vlerëson se marzha maksimale prej 7.5 për qind për qarkullimin me shumicë dhe mungesa e një definimi të qartë të “shpenzimeve të tjera” mund të ndikojnë në interesimin e operatorëve ekonomikë për furnizimin e tregut me produkte të caktuara.
Sipas analizës, gjatë vitit 2026 janë tërhequr autorizimet e marketingut për 33 produkte origjinatore, çka ngre shqetësime për ndikimin e modelit aktual në sigurinë e furnizimit me barna. Demokraci Plus trajton edhe pretendimet se nivelizimi i çmimeve do të ndikonte në uljen e kontrabandës së barnave.
Megjithatë, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, konfiskimet kanë vazhduar edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit. Në vitin 2025 janë konfiskuar 1,823.30 kilogramë produkte medicinale, me vlerë mbi 93 mijë euro.
“D+ rekomandon rishikimin e Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, duke përcaktuar qartë kompetencat institucionale për mbikëqyrjen e zbatimit të tij, rishikimin e marzhës prej 7.5% dhe definimin e “shpenzimeve të tjera”, krijimin e bazës ligjore për negociimin e drejtpërdrejtë të çmimeve në situata të jashtëzakonshme, si dhe ribalancimin e kompetencave ndërmjet Ministrit të Shëndetësisë dhe mekanizmave teknikë të sistemit, me qëllim rritjen e fleksibilitetit, parashikueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së reformës”- thuhet në komunikatën për media.
I miratuar tre vite më parë, më në Kuvendin e Kosovës, Ligji për çmimin e produkteve medicinale nisi të zbatohet më , me hyrjen në fuqi të Listës për Çmimet e Barnave. Ani pse u kundërshtua e pati raportime për mungesë të barnave të caktuara, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se është e interesuar të zbatojë atë.
Farmacistët i kanë thënë KALLXO.com se janë duke u përballur me mungesë të barnave kur të njëjtat po porositen nga distributorët farmaceutikë.
