Skllavëria moderne – VIDEO

0%

Qindra punëtorë të huaj përllogaritet se kanë ardhur në Kosovë për të punuar në ndërtimtari, gastronomi, prodhimtari e shërbime të tjera. Me rritjen e mungesës së fuqisë punëtore, bizneset kanë filluar të mbështeten gjithnjë e më shumë tek punëtorët migrantë.

Për një pjesë të tyre, premtimi për një vend pune është shndërruar në punë pa kontratë, kushte çnjerëzore jetese, kufizim të lirisë së lëvizjes e, në disa raste, edhe shfrytëzim seksual. Këto janë disa nga gjetjet që trajton dokumentari “Skllavëria Moderne”, i cili dokumenton mënyrat se si migrantët janë ekspozuar ndaj abuzimeve dhe sfidat e institucioneve për t’i parandaluar ato.

Në fokus janë gratë nga Amerika Latine, Moldavia, Shqipëria dhe vende të tjera, të cilat në vazhdimësi janë hasur në lokale nate dhe qendra masazhi, ku sipas autoriteteve ka pasur elemente të prostitucionit dhe trafikimit me njerëz.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vetëm gjatë operacioneve të vitit 2025, Policia e Kosovës hasi dhjetëra gra pa dokumentacion të rregullt pune, ndërsa në 14 biznese u konstatuan kushte të papërshtatshme pune, çka çoi në mbylljen e tyre me urdhër të Inspektoratit të Tregut. Sipas statistikave policore, gjatë vitit 2025 u hetuan 22 raste për mundësim të prostitucionit. Por fenomeni nuk kufizohet vetëm te lokalet e natës.

Dokumentari trajton edhe gjendjen e punëtorëve migrantë në sektorin e ndërtimtarisë, prodhimtarisë dhe shërbimeve, ku autoritetet kanë evidentuar raste të punës pa kontrata, pa sigurime shëndetësore dhe në kushte të rrezikshme.

Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Rrahman Sylejmani, i cili ka udhëhequr disa prej operacioneve të Policisë në gjurmimin e vendeve ku punojnë vajzat nga vendet e tjera, thotë se lokalet e masazhit vazhdojnë të paraqesin problem serioz. “Ka elemente edhe të prostitucionit, sepse shfrytëzohen për keqtrajtim seksual apo dikush tjetër përfiton para nga ato.

Të gjitha këto forma janë prezente dhe policia bashkëvepron me Inspektoratin e Punës, Administratën Tatimore dhe institucionet e tjera”- deklaron ai. Megjithatë, sipas tij, Policia nuk mund ta luftojë e vetme këtë fenomen. Ai thekson se ligji ua ndan kompetencat institucioneve dhe se përgjegjësia për veprimet ndaj punëdhënësve bie kryesisht mbi Inspektoratin e Punës.

Sylejmani thotë se gjatë kontrolleve janë hasur raste kur punëtorët migrantë janë vendosur në kushte krejtësisht të papërshtatshme për jetesë. “I kemi hasur me dhjetëra, mos them edhe me qindra, duke fjetur në depo aty ku prodhonin. Kishin krevate të improvizuara dhe nuk plotësoheshin standardet elementare. Kjo paraqiste rrezik edhe për shëndetin e tyre”- thotë ai.

Ai shton se punëtorët nuk kishin pothuajse asnjë jetë jashtë punës. Sipas tij, “ata nuk kanë pasur vetëm punë, por edhe gjumin e kanë bërë aty”, ndërsa pas ndërhyrjeve të policisë një pjesë kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare, e të tjerë janë larguar nga Kosova. Ish-koloneli thotë se gjatë intervistimeve policia ka identifikuar forma të ndryshme të keqtrajtimit.

“Kemi zbuluar raste të caktuara që janë detyruar të punojnë e nuk ua kanë dhënë pagat fare. Kemi zbuluar edhe raste të abuzimit seksual dhe raste të keqtrajtimit fizik”- deklaron ai. Për këtë arsye, ai vlerëson se në shumë raste bëhet fjalë për skllavëri moderne. “Unë këtë e konsideroj një lloj skllavrimi modern.

Skllavëria nuk është vetëm ajo klasike që e njohim nga historia, por sot shfaqet në forma të tjera”-thotë Sylejmani. Ai sjell edhe shembullin e punëtorëve që shpërndajnë ushqim me motoçikleta, për të cilët thotë se shpesh punojnë në kushte të pasigurta. “Ka prej tyre që nuk kanë as patentë shoferi, nuk e njohin terrenin dhe shfrytëzohen.

Punojnë një kohë, pastaj kalojnë prej një biznesi te tjetri. Kjo është një formë e skllavrimit modern”- shton ai. Sipas Sylejmanit, fenomeni është shtuar paralelisht me mungesën e fuqisë punëtore në Kosovë.

Ai thotë se bizneset kanë filluar të kërkojnë punëtorë më të lirë nga Bangladeshi, Pakistani, Nepali dhe vende të tjera, ndërsa shumica e tyre punojnë në mënyrë të rregullt, por ka edhe raste të abuzimeve serioze. Një prej rasteve që ai kujton lidhet me një kompani që kishte sjellë shtetas nga Nepali me viza pune për një profesion që ata nuk e njihnin.

“Ata vetë na thanë se nuk kishin njohuri për punën për të cilën ishin pajisur me vizë. Hetimet treguan se dokumentacioni ishte siguruar në mënyrë fiktive dhe biznesi u mbyll”- tregon ai.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të Punës, Ahmet Delolli, thotë se Inspektorati zhvillon vazhdimisht kontrolle së bashku me Policinë e Kosovës në lokale nate, gastronomi dhe biznese të tjera ku punojnë shtetas të huaj. Ai sqaron se, kur punëtorët kanë leje pune, shkeljet e evidentuara janë të njëjta me ato që hasen edhe te punëtorët vendorë.

Megjithatë, kur angazhohen pa leje pune, sipas tij, situata ndryshon. Delolli thotë se në këto raste janë evidentuar edhe punësimi pa kontratë dhe mosdeklarimi në Administratën Tatimore, për të cilat Inspektorati ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj bizneseve.

Blerim Hasani nga Agjencia e Punësimit vlerëson se, ndonëse nuk mund të flitet domosdoshmërisht për skllavëri në kuptimin klasik, në praktikë evidentohen elemente shqetësuese të shkeljes së të drejtave të punëtorëve migrantë.

“Ndoshta në termin skllavëri nuk mund ta themi, por megjithatë ka elemente që punëtorët punojnë pa kontrata, punojnë në afate të zgjatura, kanë kufizim të lëvizjes nga ana e punëdhënësve”- thotë Hasani.

Ai shton se institucionet kanë shtuar monitorimet dhe inspektimet në terren, ndërsa rastet që sinjalizohen raportohen përmes komunikimit zyrtar dhe trajtohen në koordinim me mekanizmat përgjegjës në nivel qendror.

Ndërkaq, sipas Delollit, një pjesë e shkeljeve kanë ardhur edhe si rezultat i mungesës së njohurive të bizneseve dhe agjencive të punësimit për procedurat ligjore të angazhimit të punëtorëve migrantë. Për këtë arsye, ai thotë se krahas masave ndëshkuese, Inspektorati ka zhvilluar edhe aktivitete këshilluese për t’i vetëdijesuar punëdhënësit mbi detyrimet ligjore.

Dokumentari trajton edhe një fenomen tjetër që deri më tani ka mbetur pothuajse jashtë mbikëqyrjes institucionale – punësimin e grave migrante në familje private si kujdestare për fëmijë apo të moshuar. Delolli pranon se Inspektorati nuk ka kryer inspektime në këto raste. “Ekziston mundësia e hetimit praktik, por nuk kemi pasur ankesa.

Nëse qytetarët i raportojnë rastet, atëherë ato mund të trajtohen dhe inspektohen”- thotë ai. Sipas tij, edhe personat fizikë që angazhojnë punëtorë në shtëpitë e tyre konsiderohen punëdhënës sipas ligjit, prandaj në rast të dyshimeve për shkelje edhe këto marrëdhënie pune mund të jenë objekt i inspektimit. www.kallxo.com

Burimi: Kallxo