– Prokuroria Speciale: Dyshohet për mbetje mortore në Jabukë të Zubin Potokut Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok, njofton se sot, më 2 gusht, gjatë veprimeve në terren është identifikuar një lokacion i dyshuar në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.
Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, Prokuroria Speciale do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve të nevojshme.
“Pas marrjes së autorizimeve përkatëse nga gjykata, Prokuroria Speciale, në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të luftës dhe institucionet e tjera kompetente do të ndërmarrë veprimet e nevojshme”, njofton Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. – Edhe një varrezë masive në komunën e Zubin Potokut U gjet edhe një varrezë masive në komunën e Zubin Potokut.
Janë identifikuar mbetje mortore. Hollësi të tjera pas pak. Kjo është varreza e dytë që u gjet ditëve të fundit në këtë komunë. Më parë u gjet një varrezë masive që dyshohet se të jetë e të zhdukurve nga lufta e viteve 1998-1999 në fshatin Kalludër e Vogël.
Gërmimet në këtë fshat të Zubin Potokut nisën në fillim të javës, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të dy të dyshuarve nga autoritetet kosovare.
