Lexus po zgjeron aktivitetin përtej veturave luksoze, duke prezantuar “Lexus Flight”, një shërbim ekskluziv fluturimesh me helikopter në Japoni.
Shërbimi, i cili nis më 24 gusht në bashkëpunim me Aero Toyota, do të lidhë qytetet me destinacionet turistike dhe mund të kombinohet edhe me jahtin luksoz LY680, duke u ofruar klientëve një udhëtim të pandërprerë në tokë, det dhe ajër vetëm me produktet e Lexus. Në qendër të këtij shërbimi është një helikopter i personalizuar, i bazuar në modelin italian Leonardo AW169.
Ai është i pajisur me dy motorë Pratt & Whitney Canada PW210A1, arrin një shpejtësi maksimale prej 267 km/h dhe ka një autonomi fluturimi deri në 785 kilometra. Kabina luksoze mund të transportojë deri në shtatë pasagjerë dhe është frymëzuar nga dizajni i SUV-ve premium të Lexus.
Ajo ofron Wi-Fi, kamera të jashtme me transmetim në kohë reale, gjurmim të fluturimit dhe një tablet për kontrollin e ndriçimit, klimës dhe sistemit argëtues. Për momentin, Lexus Flight do të jetë i disponueshëm vetëm në Japoni. Kompania nuk ka njoftuar ende plane për zgjerimin e shërbimit në tregje të tjera dhe as çmimet e fluturimeve.
