Gjaku i Shqiponjës

0%

Qielli u nxi, i trembur prej patkonjve të kalit që përplaseshin mbi kalldrëm si vetëtima, sikur çdo gur i atij shtegu të ishte veshur me rrufe.

Sorrat, që prej vitesh dukej sikur kishin zënë vend përjetësisht ndër muranat e urës së vjetër mbi Danub, ato shpendë kërmëngrënëse e pa gjuhë, që s’dinë tjetër veç të krrokasin, u ngritën papritur në një tufë të shqetësuar dhe u shpërndanë në drejtime të kundërta, si të kishin ndier diçka që syri i njeriut s’e dallon dot.

Xhukanoviçi, pasi kaloi urën e vjetër shaluar mbi kalin e tij të zi, u kthye për një çast e vështrimin e ndali gjatë andej lumit. Mendimet iu tallazitën si uji nën shtyllat e gurta. -Ti po shkon në atë vend ku, po ta shtrydhe çdo copë toke, gjak do të pikojë, – iu duk sikur i pëshpëriti e ëma në vesh, me atë zë që s’dihet a vjen prej kujtesës apo prej diçkaje më të thellë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por mendimin ia këputi në mes një zog i madh, i zi si vetë nata, që me krrau-krrautë e tij dukej sikur i thoshte: si fantazmë e ke rrugën të lirë, mes maleve ku këput një shteg i egër.

Rruga para tij përdridhej si gjarpër dhe humbte diku mes lisnajave shekullore. -Do të rrugëtosh nëpër majmale, shtigjeve të legjendave, – e dëgjoi sërish zërin e së ëmës, – mbi kryet e tyre janë thyer mijëra rrufe. Njerëzit e atyre anëve e kanë shpirtin në palcën e gurit, si vetë shqiponjat… – Ani, unë jam ushtarak lufte, – pëshpëriti ai, sikur t’i jepte përgjigje asaj që s’ishte më aty.

Shuante e ndizte llullën e shqopës gjithë udhës, ndërsa kënga e mërzitshme e gjinkallave e shoqëronte drejt kufirit. Edhe ajri, sa vinte, merrte ngjyrën e asaj mërzie të pashpjegueshme. Në atë përtejqafe fillonte toka e tyre – toka e një populli që jetonte sipas kodesh të çuditshme, kode që vetë ata dinin t’i kuptojnë, t’i njohin, t’i zbatojnë dhe t’u binden pa i vënë në pyetje.

Këngët e tyre të vjetra s’dihej ku e kishin zanafillën, por thuhej se ishin ndër më të vjetrat në gjithë truallin e Europës plakë. Akoma nuk kishte arritur në kufi, kur dëgjoi një angullimë të zgjatur qensh. Ktheu vështrimin nga vinte zëri, por nuk pa asgjë veç një korb të vetmuar që fluturonte tutje.

Sapo mbaroi ajo angullimë, dëgjoi pingërimën e shkurtër e të mprehtë të atij shpendi – një pingërimë prej së cilës trishtohesh pa e ditur pse.

Që prej fillimit të udhëtimit, një mace e zezë e kishte ndjekur pas; një korb i zi, me krrau-krrautë e vet, dukej sikur i drejtonte rrugën; kali i tij i zi ecte mbi atë udhë sikur të kalëronte mbi shpinën e një bolle të zezë; e vetë ai, i mbështjellë në pelerinën e tij të errët, dukej i veshur me mendimet e veta të zeza.

Kob i zi rëndonte sot mbi të, ndjeu një trishtim dhe një farë ankthi që s’mund ta shpjegonte dot me fjalë. Herë duke rikujtuar bisedën e fundit me të ëmën, herë duke sjellë ndër mend ç’kishte lexuar në librat e vjetër, mbërriti në atë tokë pikërisht në kohën kur këndonte qokthi. E kaloi qafën pa u ndalur. Para tij shtriheshin male pa fund.

Kishte dëgjuar shumë për këto bjeshkë, kishte lexuar për legjendat që kishin lindur mes tyre, por askund s’kishte gjetur arsyen pse quheshin Bjeshkët e Namuna.

Aq më pak gjente shpjegim pse mbi këto bjeshkë, lugje, krojë, mala, suka, ara, livadhe, bokërrima, maja, gryka, luginat, rrëmoret e shtigjet ishin thurur kaq shumë histori që të trondisin njeriun – histori që, sado t’i ngjanin legjendës, thuheshin gjithnjë si e vërteta e ndodhur mbi këtë popull mitik.

Njerëzit e këtyre anëve, që ishin përleshur me barbarët e ardhur pikërisht nga ajo rrugë ku rendte tani ai, ua kishin kaluar dhe bëmave të dragonjve në trimëri. Por, ashtu si mirësia e nënave s’ka shoqe në botë, thuhej se zanat u jepnin bekim njerëzve të këtyre anëve pikërisht prej këtyre bjeshkëve, lugjeve e krojeve.

Krojet gurgullonin me ujë të kulluar si loti i vashës, kurse lugjet ishin mbuluar me blerim të dendur; nëpër livadhe harlisej bari i njomë, dhe ngado përhapej aroma e padukshme, e vesëlarë, e manushaqeve. Zbriti teposhtë, nën një rrëmore pranë një lisi vranë reje, dhe atje pushoi një çast; piu ujë nga një gurrë, u shtri pranë gurit të madh me shikimin nga dielli.

Kupa e qiellit ishte e pastër, si qelibar, pa asnjë njollë. – Si dy degë të një lisi është fisi i tyre, – mendoi me vete. Nga shkrepat brofën shqipet. Në mbretërinë e tyre, atje lart, u statua njëra prej tyre. Nguli në ajër një britmë, pastaj u shigjetua prej qiellit drejt luginës. Ky zog, mes maleve, jeton mbi njëqind vjet, e megjithatë vdekja i vjen prej vetë rritjes së sqepit të tij.

E shohin si të shenjtë, sikur jetën e tyre e kanë të lidhur pazgjidhshëm me këtë shpend krenar. S’e kuptoi as vetë përse, por në mendje i erdhi papritur macja e zezë, e pastaj tufa e sorrave të trembura që kishin fluturuar prej muranave të urës mbi Danub, e ai korb i zi që e kishte përcjellë deri në kufi. Lodhja i kishte zënë vend nën vetull.

Në gjumë i u shfaq një nuse e re, e zbehtë si hëna. Në duar mbante një tabaka me një filxhan kafeje. Ai, në vend që ta zgjaste dorën për filxhanin, u përpoq t’ia kapte dorën asaj. Por menjëherë u rrethua nga shumë vajza shtojzavalle, që ia rrëmbyen nusen e re dhe u turrën me të nëpër gryka shkëmbore ku s’kish rrugë. Ulërin ujku majë thepit, pastaj ulëriu e tërë kopeja e ujqërve të tërbuar.

Retë bëzanin duke lëshuar rrufe. Vransirë e zezë sterrë mbulonte gjithçka. Një zë guri i tha se atje nuk mund të bësh ç’të duash. Ra nata dhe e mbështolli luginën me pëlhurë të zezë; filluan të shfaqen hijet e të vdekurve rreth tij. Nusja e re u shndërrua në një shpirt që endej nëpër bjeshkë, pastaj ndaloi në zemër të shkëmbit, aty ku përvitshëm buron një gurrë. Një hije ia mbuloi sytë.

Prej pemës u lëshua ngadalë një gjeth. Në mbretërinë e shqiponjave, atje lart, njëra prej tyre i kishte zënë diellin dhe ia mbulonte sytë me hijen e vet. Lëshoi klithmën e shqiponjës. Ai u zgjua brenda ëndrrës si me hov. Vështroi rreth e rrotull, por s’pa asgjë. Iu duk vetja si zog pa fletë. Mori udhën, ndërsa hijet i zgjateshin pas si akrepa. Ecte pa pushim, ora ishte vonë.

Ai gjumë e ajo ëndërr ia kishin trazuar shpirtin thellë. Do t’i duhej të ecte natën. Udhëtimin natën nuk e kanë të lehtë as kalorësit më të shkathët. Errësira kishte shkopsitur kraharorin e atyre luginave, dhe gjithçka po e mbulonte terri. Nisi kënga e qokut.

Ai ecte, qoku qante, Xhukanoviçi mendonte – po zëri i zogut ia ndërpriste mendimet vazhdimisht – rruga s’kishte të sosur deri në bujtinën ku do të flinte atë natë. S’dëgjohej gjë tjetër veç kënga e qokut, frymëmarrja e rëndë e kalit qimenatë dhe hapat e vet mbi gurë. Dëgjonte një fëshfërimë të pazakontë dhe përjetonte një ndjesi të çuditshme, që s’e kishte njohur ndonjëherë më parë.

Thonë se dheu merr frymë natën. Qokthi qan, mendoi, si të donte të largonte prej vetes mendimet e këqija. Jo, jo – qokthi këndon, nuk qan, tha me vete; po pse këndon vetëm natën, a ka sy të shohë, apo veç dëgjon e këndon? Kishte filluar ta zërë trishtimi për së brendshmi dhe po e gërryente ngadalë. Gjithçka ishte e trishtë atë mbrëmje.

Bjeshkët quheshin të Namuna, dhe drejt këtyre anëve kishin ardhur përherë furtunat mbi këtë popull – po ai do t’i linte pas ato dhe do të ndalej te një mal i shenjtë, ndryshe nga të gjithë të tjerët. Po përse ishte ndryshe, ai vetë, ndryshe njerëzit, zogjtë e natës, ndryshe dhe shpendët krenarë të ditës, ndryshe legjendat, zanat, krojet dhe lugjet?

Për të mbërritur atje i duheshin edhe tri ditë e tri net udhë. Që kur kishte hyrë në atë tokë, kishte dëgjuar gjithfarë simfonish zogjsh, kishte njohur krenarinë e shqiponjës, të cilën askush s’guxonte ta prekte në mbretërinë e saj, në atë qiell më të pastër se gjithkund tjetër në botë; e natën, gjithnjë, kënga e qokthit. Ishte mesnatë. Ktheu kryet mbrapa dhe pa: terr.

Qoku kishte pushuar, dheu s’merrte më frymë, shqiponja nuk dukej askund, veç yjet ndrisnin qetë. Ishte para bujtinës, ku e priste një udhërrëfyes. Trokiti fort te dera, dhe menjëherë doli dikush bashkë me udhërrëfyesin. U ndje i lodhur, i këputur. Për disa çaste ra heshtje. Pastaj hyri brenda, ku disa burra kuvendonin ashtu siç dinë të kuvendojnë vetëm ata të asaj toke.

I panjohuri hyri, biseda u ndërpre për një çast derisa ai zuri vend; por sapo u mor vesh se prej nga vinte, biseda mes atyre burrave gojëtarë vazhdoi si të mos ishte fare ai aty. Ai i hodhi vështrimin unwve të zjarrit, të kryqëzuara mbi votër. Njëri prej burrave nisi të përpushë me shkullojë hekuri hirin me prush qarri.

Nga ana tjetër, një tjetër burrë vijoi bisedën. – Në pranverë, në anët tona, vijnë shirat e vijnë zogjtë. Qiellin e pushtojnë shqipet krenare e të shenjta.

Kur u përmendën shqiponjat, ai u vetullngrys si një mugëtirë me re. – Unë vij prej maleve kreshtëmurme, ku shqiponja e mpreh sqepin mbi shkëmb, – e ndërpreu burri me shkullojën në dorë. – Ulërijnë ujqërit në bjeshkë, po shqipet s’i trembin dot…

Atij iu kujtua menjëherë tufa e sorrave që u trembën atë mëngjes mbi muret e hirta të urës mbi Danub. – Njeriu për njeriun është qen i zbutur, që të kafshon vjedhurazi pas shpine, ashtu siç u përpoqën të na kafshojnë ne. Shqipet s’i prekin dot. Bisedat rridhnin të ftohta e të tendosura si teh shpate të vjetër.

Ndërkohë që i dëgjonte, atij iu bë sikur flitej pikërisht për të, ose për njerëzit e vendit të vet. Zemra iu mbush me akull. Gjithçka është e trishtë sonte, mendoi, por nuk foli – zemërimin ia besoi fjalës së pathënë. Kështu, sapo erdhi udhërrëfyesi, kërkoi të shtrihej, se ishte i lodhur. Doli në një odë, në katin e tretë, dhe u shtri.

Unë vij prej maleve kreshtëmurme, ku shqiponja e mpreh sqepin mbi shkëmb – iu duk sikur po e dëgjonte prapë zërin e atij burri me shkullojën. Dhëmbët i lëshonin xixa, rryma e urrejtjes vërshonte nëpër ndjenja. S’dihej ç’kishin ata në vështrim, një gjuhë e pakuptueshme…

Po e zinte gjumi, kur sa herë bënte të flinte, i dukej sikur dëgjonte klithmën e shqiponjës, lart, shumë lart, në mbretërinë e saj, atje ku asgjë tjetër s’mund të ngjitet. Nata kishte marrë fund kur yjet puthnin agimin. Ai u ngrit, doli te dritarja e bujtinës dhe hodhi shikimin jashtë. Njerëzit kishin filluar të lëviznin.

Në oborr pa atë burrin hijerëndë që, natën e kaluar, e kishte parë për herë të fundit me shkullojën në dorë. Priti pak, pastaj doli edhe ai në oborr. Udhërrëfyesi e pyeti a donte kafe, apo diçka për të ngrënë. E piu kafen me nxitim dhe kërkoi t’ia bënin kalin gati; pa zbardhë mirë dita, nisi udhën.

Bashkë me të tashti ishte edhe udhërrëfyesi, të cilit i kishte kërkuar që t’i tregonte për zakonet e atij vendi, për të cilin thuhej se aty rronte një botë kaq e çuditshme. Ai ecte, udhërrëfyesi fliste, e gjithçka dukej se po shkonte mirë. Po, po, dukej gjithçka mbarë, kur filloi kënga e qyqes. Diku afër, ajo kukatte këngën e vet.

Herë para tyre, herë pas tyre kukatte – udhërrëfyesit s’i bënte përshtypje, por krejt ndryshe kishte ndodhur me të: tani dëgjonte më shumë këngën e saj sesa fjalët e udhërrëfyesit, për të cilat, në fund të fundit, kishte ardhur në ato anë. Nuk kuptonte dot nga vinte kënga; herë ndihej majtas, herë djathtas, herë përpara, herë pas.

Vallë ishte një zog i vetëm, apo më shumë, që prisnin radhën, e sapo pushonte njëra, tjetra fillonte kukun e saj? Vallë kishte arritur në një vend qyqesh? – Kaq shumë këndojnë qyqet këtu, – e pyeti udhërrëfyesin, i cili u detyrua të ndërpresë rrëfimin e vet. – Qyqet nuk këndojnë, – tha ai befas, – ato vajtojnë kukun e tyre. – Qoku qan, – tha tjetri. – Qyqja qan, – ia priti udhërrëfyesi. – Qan, këndon; këndon, qan.

Këndojnë këngëvajin e tyre. Sa e çuditshme, mendoi, edhe zogjtë këtu janë të tjetërsuar – nuk dihet a qajnë a këndojnë. Kështu vazhdoi deri sa dielli ra dhe zbriti mbi dhé. Por pikërisht atëherë, prej shkëmbinjve ia befwn shqipet: në mbretërinë e tyre, njëra klithte e tjetra ia priste. – Shqipet janë zogj të bekuar, – tha udhërrëfyesi, po tjetri s’deshi të dëgjonte për to.

Zogjtë vijonin simfoninë e tyre. Kështu, ditën e hapte qyqja me këngëvajin e saj; e pasonte simfonia e shumëllojshme e zogjve, që zor ta gjeje diku tjetër; pastaj krenaria e padurueshme e shqiponjave; kur binte mbrëmja, fillonte prapë kënga e natës e qokut. Kështu tri ditë e tri net, e njëjta histori.

Kishin kaluar dy orë prej mesnate kur u gjendën në oborrin e qelës së njërës prej kishave. Rojtari i saj ua hapi derën dhe hynë brenda; ai u mor edhe me kuajt. Pasi u rehatuan kuajt e ata hëngrën darkë, u shtruan të flenë. Pak para se të zbardhte dita e re, ranë në gjumë. Të nesërmen u zgjua vonë, pak para mesditës.

Kishte ardhur deri në atë fshat që heshtej rrëzë malit të mbuluar me borë, për të njohur nga afër këtë popull që me mrekullitë e veta kishte çuditur botën. Kullat, ngjitur në shpatull të malit, dukej sikur kishin zënë vend atje qysh prej kohësh të harruara. Mbi plisin e bardhë të Munellës ndriste dielli. Një çamërdhok i vogël rendte fundarave, duke mbledhur luleshtrydhe.

Në përrua, mbi gurë të lëmuar si perla, disa gra po lanin rrobat. “Me finjë,” mendoi me vete, ndërsa i kujtoheshin fjalët e një gruaje plakë që dinte ta gdhendte fjalën dhe t’i jepte peshë të pazakontë: “Hiri është i pastër, dhe teshat lahen për bukuri me finjë.” Vërtet, petkat e tyre ishin të bardha si bora e maleve, pa njollë, pa hije, të bukura e magjike njëherësh.

Aq e bukur ishte veshja e tyre sa e imponon veten që në shikimin e parë, e të bën për vete. Shumë prej tyre, që në kohën e ilirëve – siç kishin shkruar autorët e vjetër – kishin hyrë në modën e aristokracisë së Romës, Athinës e gjetkë. Po, shqiptarët vishen si princa, aq e bukur është veshja e tyre saqë s’ka të krahasuar, e mund të quhet proverbiale.

Kushedi sa kohë do të kishte kaluar ashtu, i zhytur në kujtimet e leximeve të veta, po të mos ia kishin ndërprerë mendimet ai shpend, me klithmën e vet të lëshuar atje, në mbretërinë e shqiponjave.

Menjëherë ia shkëputi vështrimin atij përroi, ku gratë laheshin e shpëlanin ujin e kulluar si loti, dhe e drejtoi shikimin nga kupa e kaltër, e pastër, e pa asnjë njollë, ku një shqiponjë ishte statuar; pasi lëshoi disa klithma, u pik si shigjetë atje nw krye wë arës, atje ku një fëmijë i vogël kishte filluar të qajë në djep.

I ati ngiste qetë, tutje, ndërsa një grua me shtatin e drejtë si selvi hidhte farë pas tij – a thua se s’e dëgjonin klithmën e shpendit, s’e shihnin që zogu po zbriste drejt fëmijës së tyre?

Nxori armën dhe u bë gati të shtinte, por u trembos si të zgjohej nga një ëndërr, kur dëgjoi zërin e priftit, që edhe ai vinte prej viseve në veri të Danubit – ndonëse s’ishte prej atij vendi, kombi i tij, si dhe ai i tyre, kishte derdhur shumë gjak për të ruajtur lirinë, për t’i mbijetuar dhe për t’u mbrojtur nga pushtimi e asimilimi. – Në asnjë mënyrë s’mund të shtish mbi atë zog të shenjtë, – i qe drejtuar prifti me zë të lartë. – Po ajo mund t’ia marrë fëmijën në djep, e ata s’e shohin, – iu përgjigj Xhukanoviçi. – Kjo s’ka ndodhur kurrë në këto anë.

Njerëzit e këtushëm e kanë atë zog të shenjtë; a nuk e sheh që e kanë të gdhendur në kaptellin e djepit, në kutinë e duhanit, në derën e kullës, në rrasën e oxhakut, në armët që mbajnë në brez, të qëndisur në veshje. Ai fshatari atje në arë, mbi parmendë, e ka të gdhendur po atë zog; parmendën e tij e ka zbukuruar me të.

Biseda vijonte, ndërsa shqiponja kishte nisur të ngjitej drejt qiellit, me një gjarpër të zi ngërthyer ndër kthetra – atë që s’e kishte lënë të kafshonte foshnjën, por që tashmë do të ishte vakti për zogun e vet të vogël, diku, ndër ato maja. Ai drejtoi dylbitë nga fshatari, që i kishte ndalur qetë e u kishte vënë përpara një duaj kashte.

Fshatari, me një kollë ftohjeje në gjoks, mori eshkën dhe unurin dhe ia ndezi çibukut, plot me duhan të grirë. E ëma kishte marrë foshnjen në gji, dhe, bashkë me lëngun e jetës, i jepte dashurinë e nënës, duke ia përkëdhelur ëmbël kryet derisa e zuri gjumi. Kullat këndonin këngëheshtjen e tyre.

Përtej përroit, ku gratë lanin teshat, ai çamërdhok i ri u ngjit si kaproll majë një bokërrime të gërryer deri në eshtër; u bëri zë disa moshatarëve të vet në një shullë të afërt, dhe ata erdhën vrap drejt tij e nisën të luanin bashkë.

Në qiell u shfaq një tjetër shqiponjë; sapo u statua në vend, klithi dy-tri herë e u pik diku pas malit. – Shqiponja, – nisi prifti, – është i vetmi zog që nuk çiftohet me asnjë partner tjetër, veç njërin – dhe këta e dinë mirë këtë. Bën shumë për familjen e vet, për partnerin, për pasardhësin, për territorin e tij. Këta njerëz sikur kanë diçka të përbashkët me atë zog.

Është krenar dhe madhështor; njerëzit këtu e duan dhe s’e imagjinojnë dot jetën pa të, pa klithmën e tij. Kurrë s’e vrasin, kurrë s’ua prishin çerdhet. – Pas disa ditësh do të nisem për në Grac, – vijoi prifti, – po sikur të kisha mundësi, do të vija me ty deri te kisha e Shën Premtes, ku në portë gjendet e gdhendur një shqiponjë në mermer, e latuar aq bukur sa ta kishin punuar artistët më të mëdhenj të botës.

Aty janë gdhendur dhe emrat e princave të tyre, që s’njohën kurrë as pushtim, as asimilim, as tjetërsim kulturor. Aty gjendet, latinisht, edhe fjala komb gdhendur prej tyre që prej kohës kur ju gjendeshit ende në stepat e Azisë e s’i ngjanit fare këtyre vendeve me traditë e kulturë të lashtë e të spikatur. Erdhi një burrë e një grua drejt kishës.

Gruaja mbante në shpinë një djep të gdhendur plot ornamente; ishte veshur me petka pëlhure të bardhë, kurse fundi i këmishës qëndisur me kujdes, me pe të bardhë, në një mënyrë të veçantë. Diçka e pikëllueshme filloi të lindë tek ai – një ndjesi nervozizmi dhe urrejtjeje. Mendimet po ia humbisnin fillin, po bëheshin si rrjeta merimangash të mëdha.

“…qysh kur ju ishit në stepat e Azisë…” – iu duk sikur flitej sërish, teksa prifti kapërcente pragun e kishës. “Fshat pak i largët, me ara mes maleve të egra, ku edhe priftin e kanë bërë t’i mprehet gjuha si brisk që pret pa e ndjerë.” Erdhi udhërrëfyesi dhe, pasi u përshëndetën, i tha se do të donte të zbriste deri te ai fshatar që ngiste qetë.

Ashtu bënë; e ndalën përsëri, ndonëse s’kishte shumë kohë që kishte filluar punën. – Ngjitemi te kulla, – u tha fshatari, por ata nuk pranuan.

Nxori nga xhepi i tirqve të bardhë një kuti duhani dhe ia zgjati tjetrit, i cili pa mbi të një shqiponjë të gdhendur. – Po ta merrte djalin, – tha i huaji dhe gishtin e drejtoj drejt qiellit ku klithi shqiponja – Nuk bën vaki, – iu përgjigj fshatari, – ajo ma ruan djalin nga gjarpërinjtë e zinj.

Erdhi djali i madh, ai çamërdhok që pak më parë luante te bokërrima, dhe i ati e urdhëroi të shkonte te kulla. Djali u turr me vrap, po shpejt u kthye me një shishe raki e tre filxhanë në dorë. Nën hijen e dardhës, e ëma i thurte ninulla djaloshit të vogël, si simfoni zogjsh mes bjeshkësh.

Kuvenduan gjatë për traditat e zakonet. – Ai zog është i shenjtë, – i kishte thënë udhëtarit njëriu për shqipen që klithte lart në qiell. – Ai zog na lajmëron të mirat e të këqijat. Ai na ka mësuar të jemi krenarë e të mos mposhtemi. Kështu vijoi shtegtimin nëpër ato treva gjithë atë pranverë, verë e vjeshtë. Në prag të fundvjeshtës u gjend te kisha e Shën Premtes.

E vështroi gjatë atë zog të latuar me kujdes, dhe atë shkrim të vjetër latin, ku, shekuj më parë, ishte gdhendur fjala “komb” e emrat e princave prijës të tyre. Vetëm ajo të mos ekzistonte, mendoi për disa çaste. Dhjetëra statuja të bardha, si shenjtorë, rrethonin kishën e vjetër ndër porta e mure.

Të nesërmen i tha udhërrëfyesit se do të bënte pushim; por sapo erdhi mesdita, rendi drejt kishës së heshtur, në majë të kodrës që qëndronte e vetmuar, rrethuar prej varresh. Vështroi rreth e rrotull, mos kishte njeri – s’dëgjoi asgjë. Nxori një çekiç të rëndë dhe filloi ta godasë gdhendjen në gur, për ta thyer, për ta shbërë – kur dëgjoi zërin e një të riu.

Ishte çamërdhoku katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vjeçar i plakut nga rrëzë malit me borë. Ai ishte turrur drejt tij, i tëri hov. – Pse e prish? Ajo është e shenjtë. Ti je si vetë dreqi që vë dorë mbi lterin e Jezu Krishtit. – I hodhi çekiçin, por ai u shmang. – Kush të njeh, ikën prej teje, se ti gjithçka mund të bësh. Je i zi si korbi, shpirt katran.

Këta janë si lisi që thahet ende në këmbë, mendoi, por s’kishte si t’ia bënte – djali do tw tregonte. Ai çamërdhok ka ardhur prej larg, mendoi, një ditë udhë, s’ka njeri këtu. E goditi me thikë pas lterit, në peshk të shpinës. Ishte ora më e nxehtë e ditës. Në kujtesë i mbetën ata sy të përskuqur që zymtoheshin nën qiell.

U end kudo, u përpoq t’i shmangej çdo shikimi, të fshinte çdo gjurmë. Statujat e bardha sikur kishin filluar të lëviznin – veç ato në e paçin parë e dëgjuar gulçimën e tij-, mendoi. Në qiell lëshoi klithmë shqiponja, klithmë që e trembi deri në palcë. Ajo e kishte parë. Ishte statuar në kupën e qiellit, e shikonte drejt e tek ai.

“Jam larg, krismën s’e dëgjon njeri, ajo është e vetmja dëshmitare,” mendoi. Nxori armën, u mbështet te lteri, e vuri në shenjë. Lëshoi një krismë të thatë. Zogu filloi disa rrotullime në qiell, duke klithur, e ashtu shafiturazi ra diku majë gurëve. Por s’pati kohë të gëzohej gjatë: një pikë gjaku i ran w lule të ballë, tw tij. “E vrava,” mendoi.

Menjëherë një shqiponjë tjetër, me shpejtësi marramendëse, arriti pikërisht atje ku kishte rënë e para. Ai është zog i bekuar, iu kujtuan fjalët e priftit. E ka të shtrenjtë familjen. Kurrë s’çiftohet me tjetër zog. Thonë se këtu gjaku gurgullon mbi gurë derisa merret hakun. Ndjeu ankth e frikë. “Vallë mbi ballin tim do të gufojë gjaku derisa dikush ta marrë hakun e çamërdhokut?”

Zogu mashkull i shqiponjës u gjend, vetëtimthi, në çerdhen e vet, ku i vogli mbështeste kokën te e ëma, që po jepte shpirt. Prej krahut të saj rridhte gjak; ai i mbështeti krahun e vet mbi krahun e saj, por gjaku s’pushonte. U mundua, por më kot.

Poshtë pemës filloi të zvarritej një bollë e madhe; ai u sul mbi të fluturimthi, e mbërtheu me kthetra e e ngjiti në fole, e lëshoi para të voglit. Me sqepin filloi t’ia shqyejë krahun; shqiponja-nënë po jepte shpirt, çerdhja po mbushej me gjak. Sapo i bëri një plagë mjaft të bëshme, e mbështeti mbi plagën e saj, dhe ashtu ndenjën gjatë-gjatë, s’dihet sa. Xhukanoviçi u kthye në bujtinë.

Mbrëmja ra në honet e natës. “Nata ua ka mbuluar gjurmët dhe klithmat,” mendoi. Nata, njerëzit, çdo send – gjithçka e vë natyra në gjumë. – Jo, – iu duk se i foli një frymë. – Udhëtimi yt mbyllet me klithma, me ardhje e vajtime marramendëse, humbje. Ky udhëtim është vetë fatkobi yt. Këtu do të këputet fija e jetës sate.

U tmerrua, nisi të flasë me vete. – Djaloshi po fle në prehrin e natës, buzëqeshjengrirë. Por ai s’mund të flejë – ai ka vdekur. Unë e vrava, tinëz, – mendoi. Gjumi i ikte prej syve. Kishte frikë të flinte, se në ëndërr i dilnin lugetën që vëllojnë prej morrave. Vallë cili qe ai korb që e përshëndeti tinëz? Lugjet ulërinin kobshëm. Trembej, dhe bashkë me trembjen i shkonte edhe gjumi.

Oh, sa mall ndjente për tw shëtitur nëpër qytetin e vet, për t’i parë sorrat mbi muret e hirta të urës mbi Danub! “Tani po e lënë Danubin edhe patat e egra,” pëshpëriti me vete. Kishin kaluar muaj e stinë prej kur kishte shkelur në atë tokë. Koha kishte rrëshqitur nën duar si gjarpërinj nëpër gurë. Po shqiponjat i shohin, i shohin dhe i shqyejnë me kthetra.

Katër ditë veç i kishin mbetur për t’u kthyer. Kishte parë e dëgjuar vërtet mrekulli, histori e rrëfime mahnitëse, por i kishte deformuar sipas dëshirës së vet. Sapo e zinte gjumi, i shfaqej një hije më e errët se vetë terri, më e frikshme se vetë frika që e rrethonte. Atëherë gjumi bëhej torturë; fjalët klithnin si klithma e shqiponjës, dhe mendimet i vajtonin.

Dhoma flinte, muret pëshpërisnin – kishin veshë, dëgjonin. Kishte vrarë një djalosh të ri e të pafajshëm. – Ti je bishë e njeri njëherësh, – iu duk se i foli një zë i zi, i zi si korbi. Nëpër palcën e eshtrave ndjeu frymën e vdekjes së vet. Po, vdekja që tashmë e ndiqte si një lëngatë. Jashtë filloi të bjerë shi. Po vinte mëngjesi.

“Më mirë,” mendoi, “të bjerë, ndoshta shuan gjurmët, lan gjakun.” Por gjaku s’lahet, mbetet gjurmë e pashlyeshme. Ndoshta edhe në ballin e tij kishte mbetur një njollë; sepse në ballë i kishte pikur gjak shqiponje. Po njësoj është gjaku i tyre me atë të shqipeve të malit, mendonte mendja e tij e trazuar. Priti derisa erdhi udhërrëfyesi, prandaj s’doli herët, siç zakonisht bënte.

Por prej dritares vështroi lumin që u zgjua i zemëruar. Përskaj tij vraponte një djalosh i ri, që u ndal para një burri të moshuar që po laspitëte bishtin e një shati. Burri e treti diçka përtokë, pastaj vrapoi bashkë me djaloshin. Po, ai kishte qenë lajmësi i vdekjes. Gjethet e para kishin nisur të bien, kishin filluar thashethemet e fjalëve. Erdhi një korb te dheu i butë nën shkrepa.

Pas shiut, korbi i lagur mbërriti; ndoshta prej vendit të tij kishte ardhur, ta merrte, t’i printe udhën, t’i thurte krrau-krrautë e vet si këngë të vendit të vet. Vështrimin e mbajti gjatë ndalur tek ai zog i zi, dhe ndoshta s’do të ishte shkëputur dot prej tij, po një zë i mjegullt ia drithëroi trupin.

Doli e u gjend përballë udhërrëfyesit, i cili i dha lajmin se ishte gjetur i vrarë një çamërdhok i ri. S’ishte prej atij fshati; kishte ardhur para pak ditësh, te dajat. Kurrë s’kishte ndodhur të vritej dikush pranë lterit, aq më pak me thikë pas shpine. Sytë e udhërrëfyesit ishin egërsuar. Djaloshi ishte biri i atij plaku që ngiste qetë atje, në malin e shenjtë.

Fjalët iu lidhën nyje në gojë. “M’është ndryshkur shpirti si parmaku i dyerve të vjetra,” mendoi. Rreth tij vjeshtë gri. Kokrrat e shiut përplaseshin mbi gurë. Katundi dukej i ngrysur, sikur ta kishte prekur murtaja. Kështu kaloi ajo ditë, mbushur me mendime të trazuara.

Bashkë me udhërrëfyesin, u nis drejt kishës mbi gur, në fshatin tjetër më tej; u ngjitën në kalanë ngjitur me të. – Kanë nisur shirat, – i tha udhërrëfyesit, – prandaj do të marr udhën, do të kthehem.

Xhukanoviçi kishte heshtur; një ditë më parë i kishte thënë se do të ikte pas katër ditësh. – Si të duash, – iu përgjigj tjetri, – atëherë kthehemi, e unë të përcjell deri te fshati pranë malit me borë; nesër paradite jemi atje. – Ashtu bëjmë, – ia priti ai. Të nesërmen paradite u gjendën pranë shtëpisë së djaloshit të vrarë me thikë në peshk tw shpine,.

U dëgjua një zë gruaje – zëri i së ëmës, që qante me dhembje thellë të birin, të vrarë tinëz nga një dorë pas shpine. …Të vrau një hije e zezë, djali i dashur i nanës, E e vraftë kokrra e rrufesë, djali i dashur i nanës, E ju marrtë mendja e kresë, djali i dashur i nanës, E i raftë pushka ballit, djali i dashur i nanës, E ju ngultë gozhda zemrës së barkut, djali i dashur i nanës, Qoftë e zezë udha e tij, djali i dashur i nanës, E ndjektë mbrapa një korb i zi, djali i dashur i nanës, Ja nxjerrshin shqipet sytë atij, djali i dashur i nanës.

Qante ajo grua kaq dhembshëm, me një ndjenjë të çuditshme, sikur ta dinte se pikërisht vrasësi ishte aty, në oborr. Dëgjoi disa çaste ato vajtime të imëta, tmerrësisht të holla. Qante ajo grua, po, e njëjta që kishte ditur t’i thurte ninulla kaq të bukura, nën hijen e dardhës, foshnjes në djep – atij djepi kaptelli i të cilit zbukurohej me shqiponja.

Kur ia rikujtoi vetes gjithë këtë, trupi iu drodh: ai kishte vrarë atë djalosh, po kishte vrarë njëkohësisht dhe shqiponjën, e cila, tashmë, duhej të kishte ngordhur. Shqiponja s’ngordh – ajo vdes. Kafshët ngordhin; vetëm njerëzit vdesin. – Nuk është ashtu, – i kishte thënë kohë më parë i ati i djaloshit, teksa dridhnin ndonjë cigare duhani e bisedonin për traditat. – Shqiponja vdes.

Kur vdes ajo, maleve u shkrepin rrufetë. Fjalët e vajit iu dukën fatale: Kanga e djepit, Kënga e vajit, Vaji i këngës, Kënga e qyqes, Vaji i qyqes, këngëvaji i qokut. Mendimet iu tallazitën. A këndon apo qan ajo nënë, që iu shfaq nga mesi i vetmisë, mes dhembjes brinjë më brinjë për të birin?

Asaj gruaje, që iu drodhën vajshëm sytë, ashtu si i dridhen thinjat të jatit. – Ikim, – i tha udhërrëfyesit, dhe zgjati dorën t’u thoshte lamtumirë disa burrave, të rreshtuar në fund të oborrit. I fundit ishte i ati. “As hijen tënde s’e dua, mos u kthe,” iu duk se i thoshte vështrimi i tij.

Ditën e katërt pasi kishte vrarë shqiponjën, mori udhën për në bjeshkë, i vetëm, pasi u nda me udhërrëfyesin që e kishte shoqëruar në atë vend të çuditshëm. “Tani që po ndjek udhën time, pse më rëndon kjo ndjenjë e rëndë pikëllimi? Jam vetëm, në udhë të braktisur.” E kishte kapluar një trishtim i thellë.

Ishte munduar të shbënte pamjen e shqiponjës, të gdhendur në portën e kishës së vjetër. Ishte munduar edhe të thyente me çekiç fjalën “komb”, të shkruar shekuj më parë, dhe emrat e princave, nami i të cilëve kishte shkuar deri në Itali e Francë. Kishte ecur nëpër një shteg të ngushtë, tashmë po i afrohej një qafe. U ndal të pushonte disa çaste. U ngjit mbi një shkëmb.

Poshtë tij hapej një humnerë. Tashmë gjithçka i kishte lënë pas: vrasjen e djaloshit, të cilën, edhe po ta merrnin vesh, s’do të kishin ku ta gjenin; vrasjen e shqiponjës; prishjen e monumenteve mbi lter. Hodhi shikimin nga mali përballë. Përpjetë majës, i vetmuar, ngjitej mbi bjeshkë një kalë i bardhë. Dëgjoi një këlthitje të mjegullt që ia drithëroi trupin.

Ishte klithma e një shqiponjeje, por atë zog s’e shihte statuar në kupën e pastër; hodhi shikimin drejt qiellit. E bëri gati pushkën. Por, kur s’e priste, u sul drejt tij një zog shqiponje i vogël, i parritur, trupvogël. Këmba i rrëshqiti dhe ra në humnerë; nga aty u tremb e u nis drejt majave një tufë dhish të egra. Filloi të ndiejë ftohtë dhe ktheu vështrimin nga qielli.

Nën vetullën e malit pa, tue u ngjitur përpjetë, një shqiponjë – dëgjoi klithmën e saj të fortë. O Zot, ç’panë sytë e tij: dy shqiponja, ngjitur bashkë krah më krah, fluturonin drejt qiellit, që kishte marrë ngjyrë të kuqe. Vallë ishin vërtet ngjitur bashkë, apo ishte flamuri i tyre? Fusha ishte e kuqe. Një zog i ri u statua në qiell dhe klithi fort, pastaj një korklithmë.

Vaji i nënës përzihej me këngëvajin e qyqes, me atë klithmë. Iu duk se dëgjoi hingëllimën e largët të kalit. Nëpër hala, rrëshira rridhte si gjak. Filloi të ndiejë ftohtësi – ftohtësi gjarpri, akull. Vdekja ishte një copë akull. Por vdekja për të do të ishte lule. U lëshua vrullshëm drejt tij zogu i ri. Ai ndjeu, sikur në zverk, hanxharin që i zbriste.

Në qiell pa një varg patash që iknin nga Danubi. Në fakt s’ishin pata – ishin fletët e shënimeve të tij, që i merrte era. Pranë një kroi dha shpirt, pa e parë kush. Thonë se nëpër bjeshkët tona rend një hije e zezë, që s’e lë kush të zërë vend, kurrë, kund. Klithma e shqiponjave e tmerron – por ai s’ mund të shpëtojë dot?

Burimi: Bota Sot