Klubi më i madh evropian, Real Madrid, ka bërë të qartë se është kundër Gianni Infantinos dhe mënyrës se si presidenti aktual i FIFA-s po e drejton futbollin botëror në periudhën e fundit.
“Mbretërit” përmes një komunikate zyrtare shprehën qartë qëndrimin e tyre kundër projektit të dështuar për “shitjen e Kupës së Botës”, duke falënderuar publikisht UEFA-n për hapat që ndërmori për ta penguar realizimin e këtij plani të Infantinos. “Real Madrid mirëpret vendimin e FIFA-s për të hequr dorë nga plani për shitjen e të drejtave komerciale të garave të saj.
Klubi ynë beson se ky është një lajm i mirë për futbollin dhe për miliona tifozë në mbarë botën. Dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të madhe ndaj UEFA-s, si dhe ndaj konfederatave dhe federatave kombëtare që u kundërvunë publikisht këtij projekti. Me unitet dhe përgjegjësi e mbrojtëm futbollin në një moment kyç.
Klubet janë themeli mbi të cilin ndërtohen të gjitha garat ndërkombëtare; ato zbulojnë dhe zhvillojnë futbollistët pa të cilët këto gara nuk do të ishin të mundura. Kampionatet botërore janë ngjarje me interes publik dhe trashëgimia e tyre u përket kombeve, tifozëve dhe gjithë shoqërisë.
Prandaj, ato nuk duhet të trajtohen kurrë si asete financiare nga të cilat do të përfitonte një grup i caktuar njerëzish “, thuhet në komunikatën e Real Madridit.
