Aksion në Tiranë dhe zonat përreth, arrestohen dy persona

0%

Policia ka zhvilluar kontrolle të befasishme në disa zona të Tiranës dhe në Fushë-Krujë, Bubq e Nikël, ku si rezultat i operacionit janë arrestuar në flagrancë dy persona dhe janë sekuestruar lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një armë e ftohtë dhe një automjet luksoz.

Kontrollet janë kryer nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.

Sipas policisë, kontrollet kishin në fokus evidentimin e personave që posedojnë armë pa leje, lëndë narkotike, personave në kërkim, si dhe verifikimin e mjeteve luksoze, automjeteve me xhama të errësuar mbi normat e lejuara dhe mjeteve me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjatë aksionit janë kontrolluar dhe verifikuar: 87 automjete; 118 shtetas; janë konstatuar dhe hequr 34 xhama të errësuar në kundërshtim me Kodin Rrugor, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë ndëshkuar me masa administrative. Gjithashtu, janë shoqëruar për verifikime të mëtejshme 12 automjete dhe 16 persona.

Policia njofton se një shtetas është arrestuar në flagrancë pasi gjatë kontrollit i është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë. Një tjetër person është arrestuar pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe sekuestruar një armë e ftohtë, konkretisht një shufër metalike. Ndërkohë, është shoqëruar edhe një shtetas tjetër pasi kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Automjeti luksoz që ai përdorte është sekuestruar nga autoritetet. Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e shkeljeve ligjore, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Burimi: Bota Sot