Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka sqaruar situatën e Vinicius Jr mes spekulimeve të shumta që e lidhin brazilianin me një transferim të bujshëm te Arsenali.
Sulmuesi brazilian ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë javëve të fundit për shkak të ngecjes së negociatave për rinovimin e kontratës me klubin madrilen, ndërsa Arsenali raportohet se po monitoron nga afër zhvillimet, duke shpresuar të përfitojë nga situata.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit londinez janë të gatshëm të bëjnë një investim rekord, madje edhe të thyejnë strukturën e pagave dhe të ofrojnë kushte të favorshme për të drejtat e imazhit, në përpjekje për ta bindur një nga futbollistët më të mirë në botë. Megjithatë, Mourinho nuk duket i shqetësuar nga këto zëra.
Pas ndeshjes miqësore ndaj Fiorentinës, tekniku portugez konfirmoi se Vinicius do t’i bashkohet skuadrës shumë shpejt, pasi ka përfunduar pushimet pas Kupës së Botës. “Jam i shqetësuar që nuk i kam të gjithë lojtarët në dispozicion dhe do të doja të kisha tri javë punë me ta. Fatkeqësisht, kjo nuk është e mundur”. “Të hënën do të vijnë Vini Jr, Brahim dhe Bernardo.
Gradualisht do të bashkohen edhe futbollistët që luajtën në gjysmëfinale dhe finale të Kupës së Botës, ndërsa i fundit do të jetë Cucurella”, deklaroi Mourinho për faqen zyrtare të Real Madridit. Deklarata e trajnerit portugez lë të kuptohet se Vinicius mbetet pjesë e planeve të Real Madridit për sezonin e ri, pavarësisht zërave të vazhdueshëm që e lidhin atë me një transferim te Arsenali.
Megjithatë, situata rreth kontratës së brazilianit vazhdon të mbetet e hapur dhe pritet të jetë një nga temat më të nxehta deri në mbylljen e afatit kalimtar./ Telegrafi
