“Sunny Hilli” – qytet treditor i muzikës që çon Kosovën në gjithësi

0%

Nga: Besartë Elshani Shpërndaje në: Gjithçka është menduar që festivali të mos jetë vetëm vend ku dëgjohet muzikë. Është një përvojë. Një qytet i përkohshëm që jeton tri net.

Nata e parë i takoi yllit amerikan, Katy Perry, e cila çoi flamurin e Kosovës në Hënë dhe kjo është mbase simbolika më e fuqishme që përkufizon edicionin e sivjetmë të “Sunny Hillit” Kolonat e automjeteve nisin qysh në orët e pasdites. Nga qendra e Prishtinës e deri në Bërnicë të Poshtme një dhjetë kilometra në dalje, rruga ngadalë bëhet pjesë e festivalit.

Kur afrohet hyrja te portat e “Sunny Hillit”, qyteti mbetet prapa. Hapet një botë tjetër. Një botë me drita, ngjyra, muzikë dhe njerëz që flasin dhjetëra gjuhë. Në një hapësirë të vetme bashkohen vizitorë nga e gjithë Evropa. Disa kanë ardhur vetëm për Katy Perryn. Të tjerë janë rikthyer për festivalin që e kanë bërë traditë verore.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ka edhe nga ata që Kosovën e njohin vetëm falë “Sunny Hillit”, që sivjet vjen me edicionin e gjashtë në Prishtinë, të tretin në shtëpinë e vet në Bërnicë. Në hyrje, kontrolli është i shpejtë. Pak hapa më tej fillon universi i festivalit. Në njërën anë janë hapësirat e ushqimit, ku aromat e kuzhinave nga vende të ndryshme përzihen me muzikën që vjen nga skenat.

Në anën tjetër, radhët për pije nuk ndalen. Pak më larg, të rinj bëjnë tatuazhe të përkohshme, fotografohen pranë instalacioneve artistike ose pushojnë në zonat e gjelbra të krijuara enkas për vizitorët. Shenjat që lidhin histori Gjithçka është menduar që festivali të mos jetë vetëm vend ku dëgjohet muzikë. Është një përvojë. Një qytet i përkohshëm që jeton tri net.

Nëpër shtigjet e festivalit hasen shenja që nuk janë vendosur rastësisht. Një flamingo gjigante, e punuar me estetikë bashkëkohore, bëhet një prej pikave më të bukura. Për shumë vizitorë lexohet si një simbol solidariteti e rezistence, një referencë artistike që lidhet edhe me protestat masive në Tiranë. Dikush s’ia ka haberin pse ka “fluturuar” aty.

Në performancën e saj ka pasur edhe momente si ky. Katy Perry duke interpretuar “I Kissed a Girl”, në natën e parë të “Sunny Hill Festivalit”, të premten e 31 korrikut (Foto: Sunny Hill Festival) Pak më tej qëndron instalacioni “Wish You Were Here”, ku qindra vizitorë ndalen për fotografi.

Për pjesëtarë të një gjenerate krejt tjetër – asi që në rininë e vet do të merrnin pjesë në “Woodstockun” e famshëm – e para që asocion një thënie si kjo, është titulli i këngës dhe albumit të “Pink Floyd” që më 1975 shënoi historinë e muzikës rock, gjashtë vjet pas dështimit të këtij rock-grupi që të marrë pjesë në festivalin e 1969-s, sherri i transportit.

Për moshën e publikut të “Sunnyt…”, histori si këto janë të largëta e të panjohura. Mjafton që përreth veprës artistike me titullin e një prej himneve më të famshëm të historisë muzikore të valëviten flamuj shumëngjyrësh që e bëjnë gjithë hapësirën të duket si një hartë kulturore e botës. Në mbrëmje, kur errësira mbulon kodrat e Bërnicës, dritat marrin pushtetin.

Ekranet gjigante ndriçojnë qiellin. Laserët krijojnë forma që lëvizin mbi publik. Skena kryesore merr përmasa monumentale. Atmosfera kujton festivalet më të mëdha ndërkombëtare. Ka diçka nga liria e “Glastonburyt”, spektakli vizual i “Tomorrowlandit” dhe estetika e “Coachellas”. Por mbi të gjitha, ka një identitet të vetin. Ka Kosovën.

Në këtë hapësirë, muzika shqipe nuk është në periferi të skenës botërore. Ajo bashkëjeton me emrat më të mëdhenj të industrisë globale. Edhe këtë vit, “Sunny Hill” e dëshmon se nuk është më vetëm një festival. Është projekti më i madh i diplomacisë kulturore që ka ndërtuar Kosova në dekadën e fundit.

Që nga edicioni i parë më 2018 në parkun “Gërmia”, festivali ka sjellë në Prishtinë emra që deri atëherë dukeshin të paarritshëm për publikun vendor. Dua Lipa e ka shndërruar vendlindjen në një pikë takimi të industrisë globale të muzikës, ndërsa çdo edicion e ka zgjeruar më tej hartën e artistëve dhe të publikut.

Pas pandemisë dhe një zhvendosjeje të përkohshme – me edicionin e vitit 2022 të ndarë në dysh midis Prishtinës dhe Tiranës – rikthimi e forcoi edhe më shumë lidhjen me qytetin dhe me identitetin e tij. Edicioni i vitit të kaluar ka shënuar një tjetër sukses të madh.

Mijëra vizitorë nga dhjetëra shtete kanë mbushur Bërnicën për të ndjekur artistë botërorë dhe vendorë, duke e konfirmuar festivalin si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në Evropën Juglindore.

Organizimi, infrastruktura dhe përmasat e produksionit vlerësohen si ndër më të avancuarat që ka parë ndonjëherë Kosova, ndërsa ndikimi ekonomik në kryeqytet reflektohet në hotele të mbushura, restorante plot dhe një gjallëri që zgjati përtej tri netëve të festivalit. Në platformën “Booking”, bëhet me dije se rreth 95 për qind e hoteleve dhe apartamenteve janë të zëna për këtë fundjavë.

Rreth 100 mijë shikues është një mesatare që japin organizatorët për edicionet e Bërnicës. Prishtina nuk duket më si një kryeqytet i vogël ballkanik. Për tri net ajo shndërrohet në qytetin ku bota takohet përmes muzikës. Dhe ky është ndikimi më i madh i “Sunny Hillit” i cili sjell imazhin e një Kosove që prezantohet ndryshe para botës.

Katy Perry dhe fluturimi në Hënë Kur nata fillon të bjerë, mijëra njerëz lëvizin drejt skenës kryesore. Të gjithë presin të njëjtin emër – Katy Perry. Kur ajo e shndërroi “Sunny Hillin” në një spektakël pop, skena u bë tribunë për teknologjinë. Ritmi i muzikës ndryshoi. Dritat janë fikur për disa sekonda.

Turma i është afruar edhe më skenës, ndërsa telefonat janë ngritur njëherësh për të kapur momentin e pritur prej muajsh. Një zë i regjistruar ka nisur të flasë për botën digjitale, për rrjetet sociale, për inteligjencën artificiale dhe për kufirin gjithnjë e më të paqartë mes jetës reale dhe asaj virtuale. Ishte hyrja e menduar nga Katy Perry. Jo me fishekzjarrë.

Por me një pyetje për kohën e sotme. Kur ajo e shndërroi “Sunny Hillin” në një spektakël pop, skena u bë tribunë për teknologjinë. Ritmi i muzikës ndryshoi. Fushata vetëdijesuese për përdorimin e teknologjisë ka qenë boshti mbi të cilin u ndërtua e gjithë performanca e saj në Prishtinë.

Në ekranet gjigante shfaqeshin vazhdimisht mesazhe që ftonin publikun ta shihte teknologjinë si një mjet e jo si një qëllim. “Përdor teknologjinë si vegël, por mos e lër të të bëjë vegël”, ishte njëra prej thënieve që ka shoqëruar koncertin., Në një tjetër moment Perry (41) ka thënë: “Dikur kishim CD dhe tani madje kemi AI”.

Qe një mënyrë për ta kthyer koncertin pop në një reflektim mbi shoqërinë moderne, pa ia zbehur energjinë spektaklit. E veshur me një kostum të veçantë, të përbërë nga një këmishë e gjatë, çizme të gjata dhe një kravatë me flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, artistja ka sjellë menjëherë estetikën që e ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës së saj.

Publiku ka shpërthyer në brohoritje. Për shumë të rinj ishte hera e parë që shihnin nga afër një prej ikonave më të mëdha të muzikës pop të dy dekadave të fundit. Artistja nuk e ka fshehur emocionin që po performonte për herë të parë në Kosovë. “E di që punoni shumë për të ardhur në Sunny Hill, kështu që ne ju falënderojmë, por sonte nuk jemi në punë, jemi në festë.

Nuk kam qenë kurrë në Kosovë, por besoj e dini kush jam. Jam Katy Perry”, është shprehur ajo, derisa turma i është përgjigjur me britmë të gjatë entuziazmi. Pak më vonë, ajo ka kërkuar ta njohë publikun që kishte përballë. “Është hera ime e parë këtu me miqtë e mi. Ku është Prishtina ime? Është e pabesueshme që unë kam një këngë ‘I Kissed a Girl’”, ka thënë ajo.

Për hitin e vitit 2008 ka një spektakël unik: e interpreton brenda një shisheje gjigante plastike që “lundron” në publik. Perry ka nisur të pyesë nga cilat vende kishin ardhur vizitorët. “E di që keni ardhur nga të gjitha vendet. Ku janë miqtë e mi nga Turqia? Ju dua. Ku janë miqtë nga Shqipëria? Nga Kosova? Ju dua. Dua t’ju them faleminderit”.

Në ato çaste u kuptua se “Sunny Hill” nuk kishte mbledhur vetëm publik nga Kosova e as vetëm nga rajoni. Përballë Katy Perryt ndodheshin mijëra njerëz nga e gjithë Evropa. Një nga momentet më të fuqishme vizualisht erdhi kur në skenë u shfaq flamuri i Kosovës.

Ai valëvitej mbi ekranet gjigante, ndërsa skenografia ka krijuar iluzionin sikur artistja po e nguliste simbolikisht flamurin në Hënë, bazuar në kostumet e trupës së saj të valltarëve në skenë të veshur me si astronautë. Në repertorin e saj nuk munguan hitet që kanë shënuar një brez të tërë të muzikës pop.

“California Gurls”, “Teenage Dream”, “Dark Horse”, “Hot N Cold”, “Roar” dhe shumë këngë të tjera janë kënduar njëzëri nga mijëra njerëz. Por mbrëmja nuk u mbajt mend vetëm për muzikën. Ajo pati edhe momente krejtësisht spontane. Në një çast, Katy Perry zbriti nga skena dhe hyri midis publikut. Aty e kuptoi se festivali kishte mbledhur njerëz nga dhjetëra vende të botës.

Përqafoi fansa, bëri fotografi dhe ndaloi pranë një vajze të vogël. Dhjetëvjeçarja Era, e ardhur nga Shqipëria, u bë papritur protagoniste e natës. Artistja e ftoi pranë vetes dhe i këndoi për ditëlindje. Pastaj e përfshiu në një duet të improvizuar. Vogëlushja nuk i fshehu emocionet. As Katy Perry. Të dyja u përlotën.

“Sunny Hill” është shndërruar nga një iniciativë kulturore në një prej brendeve më të njohura që lidhen me Kosovën (Foto: Sunny Hill Festival) Sinqeriteti i fëmijës e preku edhe yllin amerikan, i cili u përlot për disa çaste, ndërsa publiku shpërtheu në duartrokitje. Pak para kësaj skene, midis turmës aty pranë, ndodhi një moment krejt tjetër.

Një çift nga Turqia vendosi ta kurorëzojë lidhjen pikërisht në “Sunny Hill”. Mes muzikës dhe dritave shumëngjyrëshe, propozimi për martesë u shoqërua me brohoritjet e qindra njerëzve që u bënë dëshmitarë të një prej skenave romantike të natës. Për imazhin e së nesërmes Nata e parë ka nisur shumë përpara daljes së Katy Perryt.

Dhurata Dora është pritur si një prej emrave më të dashur për publikun shqiptar, duke sjellë hitet që dominojnë verën. Artisti italian Bianco ka sjellë një atmosferë krejt tjetër, me ndikime alternative dhe indie-pop, ndërsa grupi turk “Manifest” ka elektrizuar publikun me energjinë skenike.

Artistja Sahati ka dëshmuar edhe një herë pse konsiderohet një prej zërave më interesantë të brezit të ri shqiptar. Në mesin e mijëra vizitorëve nuk ka munguar as emri që qëndron pas vetë ekzistencës së këtij festivali. Dua Lipa ishte e pranishme gjatë mbrëmjes, duke ndjekur nga afër natën që për shumë njerëz përfaqësonte kulmin e edicionit.

Koncerti i Katy Perryt nuk përfundoi me largimin e saj nga skena. Kur publiku mendoi se gjithçka kishte marrë fund, ajo u rikthye edhe një herë. Ajo interpretoi “Firework”. Kaq u desh që t’i japë flakë. Ishte fundi i një koncerti që zgjati më shumë se sa një performancë njëorëshe muzikore. Në “Sunny Hill”, secili bëhet pjesë e shfaqjes.

Për tri net, Bërnica e Poshtme bëhet një hartë e vogël e Evropës. Prishtina ka fituar një gjallëri që rrallë e përjeton në periudha të tjera të vitit. Festivali është bërë pjesë e ekonomisë së kryeqytetit po aq sa e jetës së tij kulturore. Por “Sunny Hill” ka ndërtuar edhe një dimension tjetër. Diplomacinë kulturore.

Në mesin e hapësirave të festivalit, këtë vit një vend të veçantë ka zënë Këndi Britanik. Aty vizitorët janë ndalur për të pushuar, për të bërë fotografi dhe për të mësuar më shumë për lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ambasadori u Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, e ka konsideruar festivalin urë të rëndësishme ndërmjet dy vendeve.

“Kjo është hera e tretë që vij në festivalin ‘Sunny Hill’. Dy të fundit kanë qenë absolutisht të mrekullueshme dhe jam i sigurt që ky do të jetë edhe më i mirë. Sepse është një ngjarje shumë e mirë për Kosovën, por është edhe ngjarje shumë e veçantë për Kosovën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Për këtë arsye kemi këtë Këndin Britanik”, ka thënë ai.

Për ambasadorin, historia e familjes Lipa është një shembull i lidhjes që vazhdon të ndërtohet ndërmjet dy vendeve. “Në veçanti është shumë e lidhur mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Jemi shumë krenarë që vendi ynë i mirëpriti ata si shumë njerëz të tjerë nga Kosova kur kishin më shumë nevojë. Jemi shumë krenarë që ata u kthyen në këtë vend me arsim britanik dhe përvojë britanike.

Ata kanë arritur të japin kontribut të jashtëzakonshëm edhe për Kosovën. Pra, ky kënd vërtet ka të bëjë me festimin e kësaj”, ka thënë ai duke bërë me dije më tej për aktivitet që zhvillohet aty. Nata e parë ka nisur shumë përpara daljes së Katy Perryt.

Dhurata Dora është pritur si një prej emrave më të dashur për publikun shqiptar, duke sjellë hitet që dominojnë verën “Duke ftuar njerëzit të vijnë dhe të relaksohen, të pinë birrë, të bëjnë foto në kabinën britanike të fotografive. Dhe të mendosh vërtet për faktin që ky është një bashkim i mrekullueshëm mes kreativitetit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës.

Jemi shumë krenarë për këtë dhe duam ta festojmë dhe të kemi një vend ku mund të kemi qetësi dhe ta shijojmë”, ka thënë Hargreaves. Në një festival ku organizimi, siguria, infrastruktura dhe atmosfera ndërtojnë një rrëfim krejt tjetër nga paragjykimet që shpesh e kanë shoqëruar vendin. Këtë e ndjejnë edhe ata që rikthehen çdo vit.

Studentja Morea Muhaxhiri thotë se festivali është bërë pjesë e verës së saj. “Është hera e tretë që marrim pjesë në festivalin Sunny Hill dhe çdo vit organizimi është mirë e më mirë. Sivjet ka qenë perfekt. Na ka mahnitur performanca e Katy Perryt. Ka qenë e hatashme. Mezi presim të vijmë vitin tjetër.

Është përvojë shumë e mirë të jesh pjesë e këtij festivali dhe të kesh mundësi të shohësh gjithë këto yje brenda tri netëve”, ka thënë ajo. Edhe Renea Muhaxhiri e sheh festivalin si mundësinë më të mirë që publiku kosovar të takohet me emrat më të mëdhenj të muzikës botërore. “Si çdo vit tjetër gjithçka ka qenë perfekt si performanca e Katyt dhe e çdo artisti tjetër.

Çdo vit ky festival po na mundëson të takojmë yje botërorë si Shawn Mendes, Dua Lipa, Katy Perry e të tjerë. Gjithçka ka qenë perfekt”, është shprehur ajo. Që nga themelimi, festivali është ndërtuar mbi një ide të thjeshtë, por ambicioze: të sjellë në Kosovë artistët më të njohur të muzikës bashkëkohore dhe, njëkohësisht, ta vendosë Prishtinën në hartën evropiane të festivaleve.

Nën kujdesin e fondacionit të familjes Lipa dhe me mbështetjen e institucioneve e partnerëve privatë, “Sunny Hill” është shndërruar nga një iniciativë kulturore në një prej brendeve më të njohura që lidhen me Kosovën. Në fund, kur dritat e skenës fiken dhe kolonat e gjata të automjeteve nisen sërish drejt Prishtinës, askush nuk flet për trafikun. Flitet për koncertin.

Për këngën e preferuar. Për fotografinë që do të postohet të nesërmen.

Burimi: Koha