“Policët bënë sikur nuk po ndodhte asgjë”, turistët italianë rrëfejnë

0%

Gjashtë të rinj italianë, të cilët kishin mbërritur në Tiranë për pushime, kanë denoncuar se janë sulmuar fizikisht nga një grup të rinjsh në afërsi të Sheshit Skënderbej. Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 29 korrikut, vetëm pak orë pasi turistët nga Venosa kishin mbërritur në kryeqytetin shqiptar.

Njëri prej tyre ka treguar se grupi ishte nisur drejt qendrës për të darkuar, kur rreth 20 të rinj, të moshës 16 deri në 18 vjeç, dyshohet se nisën t’i ndiqnin, duke i sulmuar me ujë, shishe dhe gurë. Sipas dëshmisë, situata më pas u përshkallëzua, kur njëri prej turistëve u rrethua dhe u kërcënua me thikë, ndërsa sulmuesit i kërkuan para.

Të rinjtë italianë pretendojnë se u goditën me grushte dhe shkopinj gome, ndërsa njëri prej tyre u rrëzua përtokë dhe u rrah, duke pësuar lëndime në pjesë të ndryshme të trupit. Ata kanë ngritur akuza edhe për reagimin e disa zyrtarëve policorë që ndodheshin në zonë, duke pretenduar se kërkesat e tyre fillestare për ndihmë u shpërfillën.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas rrëfimit, policë të tjerë ndërhynë më vonë, larguan grupin e dyshuar dhe thirrën ambulancën, e cila i ofroi ndihmë të plagosurit në vendin e ngjarjes. Pas incidentit, gjashtë turistët vendosën t’i ndërprisnin pushimet. Në orët e hershme të 30 korrikut, ata morën fluturimin e parë dhe u kthyen në Itali, me qëllim që shoku i tyre i lënduar të trajtohej në spitalin e Venosas.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com