Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, nga debati për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë, reagimet e Bashkimit Evropian, rrënimi i objekteve pa leje në zonën e Ujmanit, deri te zbulimi i një varreze masive në Kalludër të Zubin Potokut, kanë rikthyer në qendër të vëmendjes çështjet e sigurisë, drejtësisë dhe raportit të Kosovës me Serbinë.
Pikërisht për këto zhvillime, për “Bota sot” ka folur juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, i cili vlerëson se Kosova po përballet me presion të vazhdueshëm politik, ndërsa sipas tij, Serbia vazhdon politikat destabilizuese ndaj vendit.
Ai kritikon qasjen e Bashkimit Evropian, duke thënë se Brukseli shpesh vendos fokusin te veprimet e institucioneve të Kosovës, ndërsa nuk mban të njëjtin qëndrim ndaj deklaratave dhe veprimeve të Beogradit.
“Si rezultat i marrëveshjeve të arritura në vitin 2013 në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova u zotua, ndër të tjera, që ta integrojë komunitetin serb në institucionet shtetërore të Kosovës.
Në këtë kuadër, u punësuan disa qindra policë, punonjës të pushtetit lokal, si dhe rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë në katër komunat në veri të Kosovës ”, deklaroi Musliu.
Ai thekson se largimi i zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës ishte një veprim i koordinuar dhe se arsyeja e vërtetë, sipas tij, nuk lidhej vetëm me vendimin për targat e automjeteve. Skënder Musliu “Dorëheqja e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri, e zyrtarëve policorë, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, nuk ishte vetëm për shkak të çështjes së targave.
Kjo ishte një pretekst, ndërsa arsyeja kryesore qëndronte te presionet, shantazhet dhe frikësimet nga Radoiçiqi dhe regjimi i Beogradit, me qëllim destabilizimin, rrezikimin e sigurisë dhe dëmtimin e sovranitetit të Kosovës ”, u shpreh ai.
Musliu vlerëson se kërkesat e mëvonshme të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve për tërheqjen e dorëheqjeve nuk mund të anashkalojnë procedurat ligjore dhe se institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë të pavarura nga presionet politike. Ai kritikoi reagimet e disa aktorëve ndërkombëtarë, duke veçuar si më të matur qëndrimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.
“Ndryshe nga disa reagime të tjera ndërkombëtare, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ishte më e kujdesshme dhe konstruktive, duke theksuar se Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e komunitetit serb në institucione dhe se Qeveria e Kosovës do t’i sigurojë këto të drejta ”, tha Musliu.
Sipas tij, kritikat e Bashkimit Evropian ndaj vendimeve të institucioneve të Kosovës përbëjnë një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë. “BE-ja, me këto veprime dhe deklarata, në mënyrë brutale dhe të papërgjegjshme ndërhyn në sistemin e drejtësisë, i cili është institucion i pavarur dhe i ndarë nga pushteti.
Fatkeqësisht, BE-ja ende nuk e ka kuptuar realitetin e Kosovës dhe po sillet sikur Kosova ende të ishte nën mbikëqyrjen e faktorit ndërkombëtar”, deklaroi ai. Juristi nga Belgjika u shpreh kritik edhe ndaj qasjes së Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke thënë se Brukseli nuk ka mbajtur një qëndrim të mjaftueshëm ndaj politikave të Beogradit.
“Edhe pse Serbia prej dekadash është e angazhuar në politika destruktive ndaj Kosovës, me pretendime hegjemoniste edhe ndaj vendeve të tjera të rajonit, BE-ja vazhdon ta përgëzojë regjimin e Vuçiqit si një faktor të dialogut konstruktiv ”, tha ai.
Ai përmendi deklaratat e zyrtarëve serbë, përfshirë qëndrimet ndaj Kosovës dhe pretendimet territoriale të Beogradit, duke vlerësuar se këto janë dëshmi të vazhdimit të politikave të vjetra.
“Deklaratat e zyrtarëve serbë, duke filluar nga pretendimet se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë, deri te deklaratat që justifikojnë politikat e viteve të kaluara, tregojnë se Beogradi ende nuk është shkëputur nga narrativat destabilizuese” , u shpreh Musliu.
Duke komentuar reagimet për rrënimin e objekteve pa leje në Zubin Potok, buzë liqenit të Ujmanit, ai tha se institucionet e Kosovës kanë vepruar sipas ligjit. “Objektet ishin ndërtuar pa leje ndërtimi, në tokën e ndërmarrjes ‘Ibër-Lepenc’, duke uzurpuar pronën në një zonë të mbrojtur. Ato u rrënuan vetëm pasi u përfunduan procedurat ligjore.
Edhe në këtë rast, BE-ja kritikoi Qeverinë e Kosovës, duke i dhënë hapësirë argumenteve të Serbis ë”, deklaroi ai. Musliu foli edhe për zbulimin e një varreze masive në Kalludër të Zubin Potokut, ku dyshohet se ndodhen trupat e 23 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës. “Edhe sot vazhdojnë mohimet e Serbisë për krimet e luftës.
BE-ja asnjëherë nuk ka gjetur guximin ta ndëshkojë Beogradin dhe t’i vendosë sanksione serioze për politikat e saj destruktive. Përkundrazi, vazhdimisht deklaron se Serbia është e përkushtuar për dialog konstrukti v”, tha ai. Sipas tij, një pjesë e mediave dhe subjekteve politike në Kosovë po krijojnë narrativa që dëmtojnë interesat e vendit.
“Disa media dhe OJQ, për fat të keq, janë rreshtuar në të njëjtat linja me politikat destruktive të Beogradit. Këto narrativa krijojnë përshtypje të rreme për Kosovën dhe u shërbejnë vetëm kundërshtarëve të saj” , deklaroi Musliu. Ai shtoi se edhe opozita kosovare, sipas tij, po ndjek një qasje që dobëson institucionet e vendit.
“Veprimet dhe deklaratat e papërgjegjshme të disa politikanëve opozitarë, mediave dhe OJQ-ve krijojnë narrativa të gabuara kundër Kosovës dhe ndikojnë edhe në perceptimin e ndërkombëtarëve, të cilët më pas adresojnë kritika ndaj institucioneve të Kosovës”, u shpreh ai.
Në fund, Musliu vlerësoi se politikat e Qeverisë Kurti për shtrirjen e sovranitetit në veri kanë qenë të drejta dhe se institucionet e Kosovës duhet të mbështeten në ndërtimin e shtetit ligjor. “Politikat dhe veprimet e institucioneve të Kosovës gjithmonë kanë qenë në funksion të forcimit të sovranitetit, ndërtimit të shtetit ligjor dhe ruajtjes së rendit kushtetues.
Për këtë arsye, duhet t’i jepet përkrahje e parezervë institucioneve që mbrojnë këto parime”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.
