Nga polisa e sigurimit te plumbi fatal: Kronologjia e plotë e planit

0%

Nuk ishte një vendim i marrë brenda natës. Nuk ishte një krim i kryer në çast zemërimi. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë rindërton, hap pas hapi, mënyrën se si u organizua një nga vrasjet që tronditi më së shumti opinionin publik në Kosovë.

Në 124 faqet e vendimit, gjykata përshkruan një zinxhir veprimesh që, sipas provave të administruara gjatë gjykimit, kishte nisur shumë kohë para mbrëmjes së 29 nëntorit 2023, kur Liridona Ademaj u vra brenda veturës ku ndodheshin edhe dy fëmijët e saj.

Sipas aktgjykimit, pika e parë e planit lidhet me policën e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt, me vlerë prej 3 milionë kronash suedeze, të cilën trupi gjykues e konsideron pjesë të motivit financiar të rastit. Më pas, sipas vendimit, nisi kërkimi për personin që do ta kryente ekzekutimin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Fillimisht, plani iu shpalos Kushtrim Kokallës, i cili më vonë e lidhi Naim Murselin me Granit Plavën. Në këtë fazë, sipas aktgjykimit, u arrit marrëveshja që vrasja të kryhej kundrejt pagesës prej 30 mijë eurosh. Dita e 29 nëntorit 2023 konsiderohet faza përfundimtare e planit.

Vetëm pak orë para krimit u ble arma që, sipas gjykatës, do të përdorej në ekzekutim – një pistoletë “Zastava”, së bashku me 20 fishekë, për 280 euro. Arma iu dorëzua më pas Granit Plavës. Në mbrëmje, BMW-ja me të cilën udhëtonin Naim Murseli, Liridona Ademaj dhe dy fëmijët e tyre mbërriti në lokacionin ku ishte planifikuar sulmi.

Aktgjykimi përshkruan se një sinjal me dritat e automjetit ishte momenti kur Granit Plava doli para veturës me maskë dhe armë në dorë. Një nga konstatimet më të rënda të trupit gjykues është se, në çastin vendimtar, Naim Murseli e mbajti Liridonën për krahu, duke ia pamundësuar shmangien, ndërsa Granit Plava qëlloi nga afërsia përmes dritares gjysmë të hapur të automjetit.

Plumbi që e goditi në kokë rezultoi fatal. Por skenari, sipas aktgjykimit, nuk përfundonte me të shtënën. Pjesë e planit ishte edhe krijimi i përshtypjes se bëhej fjalë për një grabitje të armatosur, me qëllim largimin e dyshimeve nga organizatorët. Pas të shtënës, Naim Murseli u largua nga vetura bashkë me dy fëmijët, ndërsa ngjarja fillimisht u paraqit si sulm grabitës.

Pikërisht mbi këtë kronologji, motivin financiar, policën e sigurimit, gjetjen e ekzekutorit, marrëveshjen për pagesë, blerjen e armës, koordinimin e lëvizjeve dhe inskenimin e grabitjes, Gjykata ndërtoi arsyetimin që çoi në dënimin me burgim të përjetshëm të Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe me 30 vjet burgim të Kushtrim Kokallës.

Ky nuk është thjesht rrëfimi i një nate tragjike, por rindërtimi i asaj që gjykata e cilësoi si një plan të organizuar deri në detajin e fundit, i mbështetur në provat e shqyrtuara gjatë procesit gjyqësor. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com