Mario Mitaj është zyrtarisht lojtari më i ri i Xhenoas. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare rikthehet në futbollin europian me një sfidë të re në Serie A, një nga kampionatet më prestigjioze në botë. Transferimi nga Al Ittihad u realizua në formën e huazimit, pas interesimit të disa klubeve europiane, mes tyre edhe Porto.
N ë fund, ishte projekti i Xhenoas ai që bindi më shumë për të siguruar shërbimet e 22-vjeçarit shqiptar. Marrëveshja parashikon një sezon huazimi, me klubin italian që ruan të drejtën e blerjes përfundimtare në fund të periudhës për 4.5 milionë euro. Mitaj mbërrin në Itali me një bagazh të rëndësishëm ndërkombëtar.
Pas eksperiencave me AEK-un e Athinës dhe Lokomotivën e Moskës, ai u transferua te Al Ittihad, ku zhvilloi 58 paraqitje dhe fitoi titullin kampion si dhe Kupën e Mbretit në sezonin 2024/25. Me fanellën e Kombëtares shqiptare, mbrojtësi numëron 32 ndeshje dhe ishte pjesë e formacionit titullar në Europianin e vitit 2024.
Tashmë, aventura me Xhenoan përfaqëson një mundësi të re për të rikthyer vazhdimësinë dhe për të fituar më shumë minuta në një kampionat me nivel të lartë. “Bashkimi me një klub si Genoa dhe me një kampionat si Serie A ishte një nga objektivat e mi. Jam shumë i emocionuar për këtë aventurë të re.
Kam folur me lojtarë që luajnë në Serie A dhe me shokët e mi të skuadrës, të cilët më kanë treguar shumë për klubin dhe qytetin. Stadiumi është fantastik dhe më kujton ambientet angleze. Gjithashtu, natyra dhe panorama këtu më japin qetësi dhe më motivojnë të punoj çdo ditë më shumë”, t ha Mitaj. Nga klubi italian kanë ardhur edhe vlerësimet e para për mbrojtësin shqiptar.
Drejtuesi i futbollit te Xhenoa, Diego Lopez, ka theksuar se Mitaj është një lojtar që kombinon cilësinë teknike në ndërtimin e lojës me forcën mendore, dy elemente të rëndësishme për projektin e klubit. Mbrojtësi shqiptar do të jetë nën drejtimin e trajnerit Daniele De Rossi, i cili pritet t’i japë hapësirë dhe besim në këtë aventurë të re në Serie A.
