Federata Angleze e Futbollit (FA) ka mbështetur qëndrimin e UEFA-s ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke kërkuar një rishikim të plotë të drejtimit dhe qeverisjes së organizatës botërore të futbollit.
Ky reagim vjen pasi FIFA hoqi dorë nga plani i diskutueshëm për të kërkuar investime private në disa nga kompeticionet e saj, përfshirë Kupën e Botës, një ide që kishte shkaktuar kundërshtime të mëdha nga pjesë të ndryshme të komunitetit të futbollit.
UEFA kishte bërë të ditur se kishte humbur besimin te lidershipi i Infantinos, ndërsa qëndrimi i saj u mbështet edhe nga konfederata të tjera, si AFC dhe CONCACAF, të cilat kundërshtuan projektin për shkak të shqetësimeve mbi integritetin e garave.
Pas tërheqjes së planit nga FIFA, UEFA e cilësoi vendimin si një fitore për futbollin, por theksoi se sfida kryesore mbetet rikthimi i besimit në qeverisjen e organizatës. Tashmë edhe Federata Angleze ka dalë hapur në mbështetje të UEFA-s. “Ne e mbështesim plotësisht qëndrimin e UEFA-s.
Është koha për një rishikim të plotë dhe serioz të lidershipit dhe qeverisjes së FIFA-s, për të siguruar që futbolli botëror të drejtohet në mënyrë transparente dhe në interes të të gjitha 211 federatave anëtare” , thuhet në reagimin e FA-së.
Nga Federata Angleze kanë theksuar gjithashtu se qëndrojnë përkrah homologëve evropianë dhe kundërshtojnë çdo plan që mund të dëmtojë karakterin e Kupës së Botës. “Ne kundërshtojmë planet e FIFA-s. Kupa e Botës i përket futbollit dhe gjithmonë do t’i përkasë futbollit”, ka deklaruar FA.
Presioni ndaj Gianni Infantinos është rritur ndjeshëm, ndërsa ai synon të kandidojë për një mandat të katërt në krye të FIFA-s në Kongresin e marsit. Aktualisht, ai është kandidati i vetëm në garë për këtë post.
