Një grua nga Fushë Kosova ka vendosur t’i japë fund, sipas saj, një historie 15-vjeçare dhune psikologjike dhe fizike, duke denoncuar bashkëshortin në Polici dhe duke dorëzuar edhe një audio-incizim, ku pretendohet se dëgjohen kërcënimet e tij. Sinjali mëson se i dyshuari është L. H., rreth 38-vjeçar, ndërsa viktimë bashkëshortja e tij, F. H., rreth 38-vjeçare.
Sipas burimeve, rasti është raportuar më 31 korrik, rreth orës , në rrugën “Hamdi Grajqevci” në Fushë Kosovë. Gjatë intervistimit, viktima ka deklaruar se është e martuar prej 15 vitesh me të dyshuarin dhe se nga kjo martesë kanë dy fëmijë, të moshës 13 dhe 9 vjeç.
Ajo ka pretenduar se gjatë gjithë martesës ka qenë viktimë e dhunës së vazhdueshme psikologjike, ndërsa në raste të caktuara edhe e dhunës fizike. Në mbështetje të pretendimeve të saj, viktima ka dorëzuar një audio-incizim, për të cilin deklaron se dëgjohen kërcënimet e bashkëshortit ndaj saj. Nga ana tjetër, L. H. ka mohuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes.
Ai ka pranuar se në disa raste e ka sharë dhe ofenduar, por ka mohuar se fjalët që dëgjohen në audio-incizim janë të tij. Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Dhunë në familje”. Me vendim të Prokurorit, L. H. është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
