Boksieri shqiptar Dennis Buzukja është gati të shkruajë histori në UFC, teksa do të ngjitet në kafaz në Beograd në eventin e parë të organizuar ndonjëherë nga kjo organizatë në Serbi. Para sfidës, ai ka përcjellë një mesazh emocionues, duke shprehur krenarinë për përfaqësimin e Shqipërisë dhe duke bërë thirrje për unitet e sportivitet.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Buzukja u është drejtuar shqiptarëve kudo që ndodhen, por edhe gjithë rajonit të Ballkanit, duke e cilësuar këtë duel si një moment historik në karrierën e tij. “Beograd, ju përshëndes. Shqipëri dhe shqiptarë në mbarë botën, ju dua shumë.
Nesër do të shkruaj histori dhe do të luftoj në Serbi për herë të parë, në eventin e parë të UFC-së që zhvillohet këtu, duke përfaqësuar Shqipërinë. Presioni është i madh, por gjithë lavdia i takon Mbretit të Mbretërve, Jezu Krishtit, dhe u bëftë vullneti i tij”.
Luftëtari shqiptar theksoi se ndihet në formën më të mirë dhe se është i vendosur të japë maksimumin në kafaz për të siguruar fitoren. “Jam më i gatshëm se kurrë dhe nesër do të jap gjithçka që kam për të fituar. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Serbinë dhe të gjitha vendet e Ballkanit. Nesër tregojmë unitet dhe sportivitet”, tha ai.
Paraqitja e Buzukjes në Beograd po përcillet me interes të madh, jo vetëm për rëndësinë sportive, por edhe për simbolikën që mbart. Ai do të jetë një nga sportistët që do të përfaqësojë Shqipërinë në eventin e parë të UFC-së në Serbi, me synimin për të lënë gjurmë në një nga skenat më prestigjioze të arteve marciale mikse. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
