Një anije cisterne është goditur nga një objekt i panjohur pranë brigjeve të Omanit, duke pësuar dëmtime të mëdha dhe duke mbetur jashtë kontrollit, njoftoi Agjencia Britanike për Operacionet e Tregtisë Detare (UKMTO). Sipas njoftimit, anija ndodhej rreth 11 milje detare në verilindje të qytetit Lima, kur u godit nga një predhë e paidentifikuar.
Si pasojë e sulmit, u dëmtua sistemi i motorëve, duke pamundësuar manovrimin e cisternës. Autoritetet britanike nuk kanë bërë të ditur llojin e predhës së përdorur dhe as nuk kanë identifikuar autorët e sulmit. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima në mesin e ekuipazhit.
Incidenti ndodhi të shtunën në orët e para, në një periudhë kur tensionet në rajonin e Ngushticës së Hormuzit mbeten të larta pas përshkallëzimit të konfliktit ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës dhe gazit në botë, ndërsa incidentet në këtë zonë kanë ngritur shqetësime për sigurinë e lundrimit dhe furnizimin global me energji. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
