A do t’i hapë Serbia arkivat e luftës nëse BE bën presion mbi

0%

Drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, ka folur për gërmimet në Kalludër të Zubin Potokut dhe procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës theksoi se arrestimi i një dëshmitari që kishte dhënë informacione të rëndësishme për vendndodhjen e mbetjeve mortore dërgon një mesazh shqetësues.

“Ky arrestim i një dëshmitari, i cili ka dhënë një informacion jashtëzakonisht të dobishëm për zbardhjen e fatit të së paku 23 personave që janë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, dhe dyshimi ndaj tij për spiunazh, tregon krejtësisht të kundërtën.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kjo dëshmon se nuk ekziston ndonjë vullnet politik dhe se çështja e personave të zhdukur nuk po trajtohet si çështje humanitare, por po tentohet të fshihen faktet dhe informacionet mbi krimet e rënda që kanë ndodhur gjatë luftës, edhe 27 vjet pas përfundimit të saj”, deklaroi Blakaj.

Blakaj u ndal edhe te çështja e dosjeve ushtarake serbe, duke theksuar se autoritetet e Kosovës nuk duhet të kërkojnë vetëm dosjen e Brigadës së 37-të të Motorizuar. “Duhet përmendur çështja e dosjes së Brigadës së 37-të të Motorizuar.

Autoritetet në Kosovë e kërkojnë vetëm këtë dosje dhe kjo është e njohur për shkak se Fondi për të Drejtën Humanitare kishte kërkuar qasje në të dhe ajo ishte shpallur sekret shtetëror”, tha ai. Sipas tij, duhet të ketë edhe qindra dosje të tjera që lidhen me brigada dhe njësi të ndryshme ushtarake e policore.

“Autoritetet në Kosovë do të duhej së paku t’i identifikonin se cilat janë ato dosje dhe të kërkojnë që të hapen të gjitha ato dosje, jo vetëm të një dosje. Duhet të ketë edhe qindra dosje të tjera për brigada të tjera, për njësi të tjera ushtarake dhe për njësitë e kombinuara policore. Nuk bëhet fjalë vetëm për një dosje”, theksoi Blakaj.

Ai foli edhe për rolin e Bashkimit Evropian në zbatimin e marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë lidhur me personat e zhdukur. Blakaj tha se në deklaratën e përbashkët dhe në marrëveshjen e përgjithshme parashihet që Bashkimi Evropian të ketë rol monitorues për zbatimin e marrëveshjeve dhe, në rast të moszbatimit, edhe rol sanksionues.

“Deri më tani, me të vërtetë nuk kemi parë që BE-ja e ka zbatuar një rol të tillë. Së paku nga jashtë nuk kemi vërejtur që kanë pasuar sanksione ndaj Serbisë për shkak të moszbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe nuk kemi njohuri që gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë ndërmarrë një veprim të tillë” , deklaroi Blakaj.

Burimi: Bota Sot