Shqipëria nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, viteve të fundi është komentuar shumë rreth afërsisë me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq.
Rama është kritikuar edhe për publikimin e editorialit të përbashkët në një media ndërkombëtare ku së bashku me Vuçiqin kërkonin anëtarësimin e të dyja vendeve në BE, pastaj mos reagimi i kryeministrit shqiptar pas deklaratës skandaloze të ministres serbe e cila deklaronte se do ta kishte zhdukur etnikisht Kosovën në luftë, ndërsa lajmi i fundit ku njoftohet për një konsullatë serbe në Shkodër është duke u konsideruar akt tradhtie për Kosovën.
Në Serbi të enjten u raportua për një marrëveshje mes të dyja vendeve për krijimin e konsullatave në Shkodër e Bujanoc. Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriç, e ka dhënë një lajm të tillë ku sipas tij, ky dakordim u arritë gjatë takimit me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha.
Në një intervistë për Radio Beogradin, Gjuriç deklaroi se hapja e këtyre konsullatave do të jetë një hap në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. “Më gëzon fakti që pata bisedime të mira me ministrin e ri të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha, me të cilin arritëm një marrëveshje në parim për hapjen e konsullatave të dy vendeve në Shkodër dhe Bujanoc”, ka thënë Gjuriç.
Në anën tjetër, Tirana zyrtare shpjegon se çështja është ende në diskutim e sipër dhe nuk ka një dakordësi finale për të. Profesori, doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, thotë se me vendimin për hapjen e konsullatës në Shkodër dhe Bujanoc u bë gjëja e fundit e Ramës dhe Vuçiqit në shërbim të njëri- tjetrit.
Sipas tij, Rama do të mburret se për herë të parë në histori do të hapet konsullata shqiptare në Bujanoc, ndërsa Vuçiq do të deklaronte se ‘jo vetëm Kosova, por edhe Shkodra do të jetë protektorat i Beogradit”.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duket se janë në lidhje e bashkëpunim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin, me qëllim që secili prej tyre ta mbajë tjetrin sa më gjatë në pushtet. Rama dhe Vuçiq janë nën goditjet e vazhdueshme të faktorit perëndimor, protestave dhe të peshës së pushtetit që ata i ka zënë poshtë.
Të dy ata e dinë se po ra njëri bie menjëherë edhe tjetri. Prandaj me vendimin për hapjen e konsullatës në Shkodër dhe Bujanoc bënë gjënë e fundit në shërbim të njëri-tjetrit. Rama ka filluar të mburret se “po hap konsullatë shqiptare në Bujanoc”! Madje do të thotë nesër se kjo konsullatë “po hapët për herë të parë në histori”!
Do të thotë se “ne jemi partner me Serbinë dhe punojmë për interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”. Ndërsa Aleksandër Vuçiq do t’u thotë bashkëkombasve të vet se “Jo vetëm Kosova është e jona, por tashmë edhe Shkodra do të jetë protektorat i Beogradit”!
Analistët serbë do ta komentojnë hapjen e konsullatës serbe në Shkodër si një hap të rëndësishëm për qëllimin madhor të Serbisë së 200 viteve të findit, për të dalë në Adriatik”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”. Enver Bytyçi Bytyçi thotë se konsullata në Bujanoc do të jetë si puna e partizanëve të Enver Hoxhës në 1944-45, ndërsa ajo në Shkodër do t’i ngjajë konsullatës ruse të vitit 1913.
“Konsullata në Bujanoc do të jetë si puna e partizanëve të Enver Hoxhës, të cilët në vitin 1944-1945 shkuan në Kosovë për ta shtruar atë dhe për ta vënë plotësisht nën sovranitetin dhe sundimin e Serbisë.
Konsullata në Shkodër do t’i ngjajë konsullatës ruse të vitit 1913 në Mitrovicë, pra do të jetë qendër e provokimit dhe destabilizimit të Shqipërisë së Veriut dhe arsye që Serbia të thotë se “Në Shqipëri ka një minoritet serb”! Edi Rama e pranoi kërkesën e Serbisë duke kërkuar në këmbim që Shqipëria të hapte një konsullatë të sajën në Preshevë.
Por ministrat e jashtëm e çvendosën atë nga Presheva në Bujanovc, sepse në Bujanovc popullsia serbe është më e madhe sesa në Preshevë. Preshevën në Beograd e shohin më të pasigurt për ta mbajtur nën sovranitetin serb, Bujanovcin e shohin si “qytet serb”! Pra, Vuçiq e largoi çdo mundësi ndikimi të Shqipërisë, nëse ajo mund të ndikonte ndonjëherë, te shqiptarët e Luginës.
Ndërsa Edi Rama pranoi influencën serbe në Shkodër” , shprehet profesori. Argumentimet e mundshme të Hoxhës për hapjen e konsullatave, Bytyçi nuk i konsideron të qëndrueshme, logjike e as politiko- diplomatike. Ai konsideron se ky vendim vjen në një moment kur marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë janë shumë të tensionuara.
“Ministri ynë i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, thoshte sot se hapja e konsullatave është një akt diplomatik me ndikim reciprok. Ne hapim konsullatë në Bujanovc, Serbia hap konsullatën e saj në Shkodër. Në dukje duket gjithçka në rregull. Por nuk është ky argument i saktë, as i qëndrueshëm, as logjik, as artimetik e as politico-diplomatik.
Sepse në qarkun e Shkodrës, sipas censusit të fundit jetojnë vetëm 54 serbë , ndërsa në Luginën e Preshevës 70 mijë shqiptarë. Ja ky është reciprociteti i Edi Ramës dhe Ferit Hoxhës në marrjen e këtij vendimi të turpshëm. Ndërkohë ky vendim vjen në një moment kur marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë janë shumë të tensionuara.
Ministrja e Vuçiq deklaroi se është e gatshme, nëse vijnë rrethanat ta spastrojë etnikisht Kosovën. Vuçiq jep çdo ditë deklarata për Kosovën si pjesë e Serbisë. Madje të gjithë në Serbi e quajnë Kosovën “Kosovo-Metohi”, një zhargon ky i kohës së Rankoviçit, me qëllim që të tregojë se Kosova nuk është as nocion gjeografik shqiptar. Provokimet e Serbië në Kosovë janë të përditshme.
Ky vendim u shpall vetëm 48 orë pasi u njoftua se në Zubin Potok është zbuluar varri masiv i 24 intelektualëve shqiptarë të Mitrovicës të masakruar në prill 1999 nga makineria ushtarake e policore e Aleksandër Vuçiq dhe Ivica Daçiq. Cili shqiptar i Kosovës do të jetë i lumtur me këtë akte diplomatik anti-shqiptar të Edi Ramës dhe Ferit Hoxhës?!
Po ashtu cili shqiptar i Shqipërisë mund të pajtohet me këtë dëshmi tradhtie të qartë të kryeministrit dhe shefit të diplomacisë së Shqipërisë?!”, thekson Bytyçi. Tutje, ai e quan akt tradhtie të mirëfilltë hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, duke shtuar se vendimi i Ramës dhe Hoxhës u morë edhe për shkak të zbulimit të aferës së Ols Ramës në kullën e Stadiumit Air Albania.
“Nëse ka një akt tradhtie të mirëfilltë në interes të hegjemonisë serbe në Ballkan, është hapja e konsullatës së saj në Shkodër. Dhe kjo ndodh jo për herë të parë. Shteti shqiptar I Edi Ramës ka hapur në Fier shkollë në gjuhën serbe, pavarësisht faktit se aty nuk ka asnjë serb. Kësisoj qeveria e Edi Ramës ka marrë përsipër ta zhbëjë Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
Kjo duket në çdo vendim të tijin në lidhje me menaxhimin e pasurive tona kombëtare, por duket sidomos në lidhje me marrëdhëniet e tij me Aleksandër Vuçiq. Nuk po ripërmend sërishmi lëshimet dhe kompromiset anti-shqipotare të Edi Ramës në raportet e tij me Serbinë. Por vendimi i fundit është atentat i mirëfilltë kundër Shkodrës, kësaj palce të shqiptarizmës dhe ideve kombëtare!
Është atentat kundër Kosovës në kushtet kur Serbia sillet me të si më një krahinë pa asnjë nocion politik. Eshtë atentat kundër Shqipërisë, madje edhe kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në të gjithë rajonin tonë. Vendimi i Ramës dhe Hoxhës u mor edhe për shkak të zbulimit të aferës së Ols Ramës në kullën e Stdiumit Air Albania.
Dhe sa herë dalin afera për Olsin, Lindën dhe vetë Ramën, kryeministri shet një copë Shqipërie, që të tërheqë vëmendjen nga veprat kriminale të tij e të familjes së tij. Aleat të ngushtë në këto përpjekje ka Aleksandër Vuçiq!”, përfundon Bytyçi.
