“Për 36 vite kemi duruar dhunën e tyre, mjaft më”- Gazetari Osman

0%

Gazetari Osman Stafa denoncoi nga sheshi i protestës qytetare në ditën e saj të 62-të se shqiptarët kanë përjetuar 36 vite dhunë të egër të qeverive dhe politikës dhe tani është koha për të thënë mjaft dhe për të ndërtuar Shqipërinë e re.

Ai apeloi për të gjithë qytetarët që të rezistonin, të mos kishin frikë dhe që të qëndronin të bashkuar, duke mos u trembur nga presioni dhe propaganda e qeverisë. “Jemi këtu në sheshin më të bukur që ka parë historia e Shqipërisë. Edhe për ju që dëgjoni nga televizori. Këtë ujë 36 vite i qelbur a po e pini? Kjo politikë 36 vjeçare a ju shërben juve më, a i shërben shqiptarëve?

Shqiptarë të nderuar ju që keni duruar për 36 vite dhe fëmijët tuaja që kanë emigruar dhe kanë ikur në emigrim a e bëni përgjegjëse këtë politikë? 36 vite politikë nuk ju shërben më sepse po ta pini atë ujë ju vdes, ju shfaq sëmundje. Ndaj mbajeni këtë shpresë, është beteja jonë e fundit, mjaft më, boll keni duruar, të luftojmë për veten tonë”, tha ai mes të tjerash.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Stafa i bëri thirrje edhe socialistëve të ndershëm që ta braktisnin një herë të vetme liderin e tyre Rama për hir të Shqipërisë. Të njëjtën thirrje ai ia drejtoi edhe demokratëve, duke nënvizuar se PD nuk e ka më fuqinë për të rrëzuar këtë qeveri të korruptuar.

“Qytetarë të nderuar, ju që e ndiqni nga shtëpia, ju socialist që jeni të ndershëm, harrojeni njëherë partinë tuaj dhe shikoni Shqipërinë, se nuk ka atdhe të bukur se Shqipëria. Harrojeni, lëreni një herë liderin tuaj, 4 mandate çfarë ka ndryshuar në Shqipëri. Ju demokratë të PD, partia juaj nuk e mund dot këtë të keqe. Bashkohuni në këtë shesh me ne”, tha ai.

Gazetari iu përgjigj edhe deklaratave të qeverisë për akuzat e dhunës së protestuesve nga veza e domatja. “Flasin për dhunën e frikësuar nga disa vezë e domate. Po ajo dhunë ndaj pensionistëve me pensione qesharake që nuk mbyllin dot muajin, po të mos jetë për fëmijët e tyre nuk ia dalin dot, ata duan dhunë më të fortë se kjo.

A ka dhunë më të egër se të lësh spitalet pa ilaçe, apo nënat me fëmijë jetimë t’i lësh me 30 mijë lekë në muaj, a ka dhunë më të egër t’i lësh bujqit pa lekë se këta i marrin lekët e IPARD për veten dhe familjet e tyre. Vezët i keni pak! Fëmijët e tyre këta i çojnë jashtë, shkollat në fshatra kanë marrë fund. I kanë larguar fëmijët e këtij vendi, fëmijët tuaj, të ardhmen tonë.

Fatkeqësi e madhe në Shqipëri. Të moshuarit po vdesin të vetmuar, për shkak të shpopullimit dhe vdekjes së shpresës në këtë vend. A mund të durohet kjo dhunë”, u shpreh ai. Stafa apeloi që qytetarët ta vrisnin frikën dhe të qëndronin në shesh të bashkuar përballë presionit, ashtu sikurse bënë dikur Isa Boletini dhe Çerçiz Topulli.

Ndërsa shprehu bindjen se motori i protestës, diaspora, do ishte në shesh deri në fund. “Të vijë shtatori, mos u frikësoni nga presioni që po u bëjnë qytetarëve. Mos u frikësoni, duhet të duroni. Isa Boletini nuk kishte frikë nga plumbat, Çerçiz Topulli dha jetën e tij për Shqipërinë, Ky popull s’duhet të ketë frikë nga presionet e këtyre të dështuarve.

Diaspora duhet të jetë në Shqipëri, është motori i kësaj proteste. Mos u demoralizoni nga ajo që po bëjnë, propagandë, jemi më të fuqishëm se kurrë, më të fortë se kurrë, ndaj qëndroni për familjet tuaja, për të ardhmen tonë”, deklaroi Stafa.

Burimi: Bota Sot