Asamblistët e koalicionit PDK-Aleancë-Ne Mundemi kanë miratuar sot () ndryshimet e rregulloreve komunale për rritjen e çmimit të faturave për mbledhjen e mbeturinave dhe parkingjeve publike në territorin e Ferizajt, por opozita, qysh para se të votohej, paralajmëroi se ndryshimi i rregulloreve po bëhej kundërligjshëm pasi paraprakisht nuk ka pasur konsultim publik.
Të njëjtën vlerësim e kanë shprehur edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile pas përfundimit të seancës së rregullt të korrikut, duke paralajmëruar se do t’i kërkojnë Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) që t’ia kthejë Kuvendit Komunal të Ferizajt për rishqyrtim vendimet për çmimet e ngritura.
Ndryshimet Me ndryshimet e aprovuara në mbledhjen e sotme, Kuvendi Komunal ua ka ngritur amvisërive nga 6 euro e gjysmë në nëntë euro e 90 centë faturën e mbeturinave. Kjo është vetëm njëra prej nëntë kategorive të shkallëzuara të çmimores së re për mbledhjen e mbeturinave, derisa më e larta për biznese është ngritur përreth 10 euro (nga 111.05 në 119.9 euro).
Pos ndryshimit të çmimit të tarifave të kompanisë rajonale, “Pastërtia”, është ndryshuar edhe rregullorja e ndërmarrjes publike lokale, “Ambienti”, duke i rritur edhe çmimet e parkingjeve publike për tridhjetë centë për orë në shumicën e rrugëve, derisa ngritja më e madhe prej 50 centë është bërë në parkingun nëntokësor afër stacionit të trenit.
Shqetësimin për shkelje të Udhëzimit administrativ për administratë të hapur në komuna, e para e ka ngritur asamblistja e LDK-së në opozitë, Jehona Mustafa, duke i kërkuar llogari drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjenca, Alberton Sahiti, i cili i ka paraqitur kërkesat për ndryshim të çmimoreve.
Pika 1.2 e nenit 22 për “Aktet obligative për konsultime publike” e këtij Udhëzimi Administrativ i përfshin shprehimisht “projekt-rregulloret komunale”. “Me sa e di unë për çdo ndryshim-plotësim të secilit dokument të çdo rregulloreje, duhet me dalë në konsultim publik me udhëzimin administrativ për administratë të hapur.
Pse nuk kanë pasur këto dyja konsultim publik?” – i është drejtuar Mustafa nga foltorja Sahitit. Megjithëse në rubrikën e “Njoftimeve” në faqen zyrtare të Komunës së Ferizajt nuk ka asnjë njoftim për konsultim publik për ndryshimin e rregulloreve të “Pastërtisë” dhe “Ambientit”, sikur se as në planin e dokumenteve për konsultime publike, Sahiti i është referuar konsultimit publik për taksat komunale kur ka folur për çmimet e ngritura të faturave për mbeturinat.
Ndryshimet e propozuara në Rregulloren e Taksës Komunale, që ishte pikë e ndarë e rendit të ditës së seancës së sotme, janë aprovuar pa asnjë diskutim nga pozita e opozita. “Jehonë, njëra prej kërkesave tua ke: a ka dalë në diskutim publik?
Nëse e thotë ligji se je kanë asamblistë – dhe për herë të dytë je – besoj që e di se nëse rregullorja kalon mbi 30%, atëherë duhet me dalë në diskutim publik. Kjo rregullore nuk kalon mbi 30%, është pesëpërqindëshi i saj, dhe lejohet me kalu direkt në Kuvend”, ka thënë Sahiti kur ka folur për rregulloren e “Pastërtisë”.
Vlerësimi i ligjshmërisë në dorë të MAPL-së Bekim Salihu, menaxher i programeve për qeverisjes lokale dhe analist i politikave në Institutin GAP, ka thënë se të gjitha vendimet komunale, përfshirë ato që lidhen me koston e shërbimeve, qofshin administrative, apo, shërbime publike, duhet t’i nënshtrohen konsultimit publik.
“Nëse një institucion fuqizon politika në këto fusha pa konsultim, përveç se bën shkelje të parimeve të qeverisjes së mirë, në të njëjtën kohë tejkalon edhe udhëzimet juridike, siç është në këtë rast udhëzimi administrativ për administratë të hapur i fuqizuar nga MAPL-ja”, ka thënë Salihu për KALLXO.com.
Kenan Gashi, nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Avonet, ka thënë se nxjerrja e ndryshimeve të propozuara në konsultim publik është element themelor për propozim-vendimet që i prekin drejtpërdrejt qytetarët.
“Sidomos kur ka të bëjë me rregullore, që në këtë rast Komuna e Ferizajt, Drejtoria përkatëse, nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe ne do t’i adresohemi MAPL-së për t’i ngritur shqetësimet rreth kësaj faze që komuna nuk e ka bërë në procedurë të rregullt diskutimin publik për dy rregullore që janë të rëndësishme për qytetarët, dhe mirëqenia e tyre është shumë e rëndësishme për vlerësimin dhe marrjen e opinionit të tyre”, ka thënë Gashi për KALLXO..com pas përfundimit të seancës së Kuvendit Komunal të Ferizajt.
Brahim Osmani, shef i grupit parlamentar të LVV-së në opozitë, është i bindur se MAPL-ja do t’i shpallë të kundërligjshme të dy vendimet e kuvendarëve të pozitës për ngritjen e çmimeve pa diskutim publik.
“Besoj se MAPL-ja do ta japë përgjigjen e vet përfundimtare dhe mendoj se çdo që gjë që nuk është në diskutim publik, qysh e kërkojnë edhe rregulloret dhe ligji për qeverisje lokale, mendoj se të gjitha këto janë të jashtëligjshme dhe mendoj se duhet të kthehen edhe njëherë në pikën zero”, ka thënë Osmani për KALLXO.com, duke shtuar MAPL-ja edhe në të kaluarën ia ka kthyer Kuvendit Komunal të Ferizajt disa vendime pas vlerësimit të ligjshmërisë së tyre.
