Gazeta Sinjali ka raportuar ditë më parë për disa fëmijë të kopshtit “VIP KIDS 2” në Bresje të Fushë Kosovës, të cilët po trajtohen në institucione shëndetësore. Një prind kishte bërë të ditur se djali i tij 15-muajsh ishte transferuar nga Klinika e Pulmologjisë në Klinikën Infektive të QKUK-së, ndërsa në trajtim ndodheshin edhe fëmijë të tjerë nga i njëjti kopsht.
Ndërkohë, një tjetër prind, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka kontaktuar Sinjalin dhe ka ngritur shqetësime serioze për kushtet në Klinikën Infektive, ku fëmija i tij po vazhdon trajtimin për fruth. Ai ka dërguar pamje nga reparti, duke pretenduar se kushtet e higjienës janë të dobëta dhe se mbeturinat hidhen në të njëjtin vend. “Ky është shtrati ku është i shtrirë fëmija im.
Nuk e di a ka ardhur të shërohet apo të marrë ndonjë infeksion tjetër. Pastërtia, ja si është. Në të njëjtin vend hidhen të gjitha llojet e mbeturinave”, ka deklaruar ai për Sinjalin. Prindi është ankuar edhe për mungesën e personelit, duke pretenduar se gjatë dy ndërrimeve vetëm një infermiere kujdeset për të gjithë repartin. “Pika e tretë është mungesa e stafit.
Në dy ndërrimet është vetëm një infermiere në të gjithë repartin. Vlen të ceket se shërbimi nga ana e infermiereve është shumë i mirë, pavarësisht kushteve. Tek ato nuk kemi ankesa”, ka thënë ai. Sipas prindit, shqetësim tjetër është mungesa e materialeve dhe medikamenteve bazë.
Ai ka pretenduar se fëmija i tij kishte pësuar dy kriza gjatë ditës, ndërsa në rastin e parë temperatura i kishte arritur në 40 gradë Celsius. “Pika e katërt është mungesa e çdo materiali bazë. Sot gjatë ditës fëmija i ka pasur dy kriza.
Te kriza e parë temperatura i ka shkuar 40 gradë dhe në repart nuk ka pasur medikamente për uljen e temperaturës, prandaj është dashur me urgjencë të shkojmë t’i sigurojmë në barnatore”, ka deklaruar prindi. Ai ka shtuar se gjatë krizës së dytë mungonte edhe maska për dhënien e oksigjenit.
“Ndërsa te kriza e dytë, kur është dashur t’i jepet oksigjen, nuk ka pasur maskë për dhënien e oksigjenit”, ka thënë ai. Prindi ka ngritur shqetësime edhe për kushtet në dhoma, duke thënë se mungojnë perdet, roletat dhe mbulesat e dritareve. “Me çarçafë duhet të improvizojmë, sepse perde, roleta apo mbulesa për xhama nuk ka.
Dielli bie në dhoma pa ndërprerë dhe bëhet shumë nxehtë”, ka deklaruar ai. Sipas tij, problem tjetër paraqet dera që lidh dhomën me tarracën, e cila nuk mbyllet gjatë natës. “Dhomat kanë qasje edhe nga tarraca.
Gjatë natës dera që del në tarracë nuk mbyllet dhe mbetet hapur, duke e ftohur shumë dhomën, sidomos kur fëmijët janë me fruth dhe kanë temperaturë, ethe e djersitje”, ka shtuar prindi për Sinjalin.
Ai ka pretenduar se fëmija i tij është infektuar gjatë qëndrimit në kopshtin “VIP KIDS 2” në Bresje të Fushë Kosovës, por burimi i infeksionit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet kompetente. Në fund, menaxherja e kopshtit “VIP KIDS 2” ka konfirmuar për Sinjalin se disa fëmijë janë të sëmurë me fruth. “Jam në dijeni, fëmijët kanë fruth.
Fruthi u ka rënë”, ka deklaruar ajo. Edhe drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera Berisha-Ndrejaj, kishte bërë të ditur për Sinjalin se vetëm gjatë asaj dite ishin konfirmuar katër raste të reja me fruth te fëmijët. Fruthi prek fëmijët e një kopshti në Fushë Kosovë? Prindi ngre shqetësimin, Infektiva konfirmon katër raste të reja Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
