Ka marrë përmasa edhe më të mëdha rasti i vjedhjes së rëndë në fshatin Dobravë të Leposaviqit, pasi pronarja e shtëpisë është kthyer nga Gjermania dhe ka konstatuar se hajnat nuk kishin marrë vetëm veglat e punës, por edhe stoli ari me vlerë të konsiderueshme. Sinjali mëson se viktima është I. M. rreth 45-vjeçare ndërsa bashkëpronar i shtëpisë është D. B. rreth 43-vjeçar .
Sipas burimeve, fillimisht rasti ishte raportuar më 29 korrik nga një fqinj, i cili kishte vërejtur se shtëpia ishte hapur me forcë. Gjatë këqyrjes së parë ishte konstatuar se ishin vjedhur pajisje të shumta pune, përfshirë trimerë, fryrëse për gjethe, aparat saldimi, vegla elektrike, shufra peshkimi, gypa bakri dhe pajisje të tjera.
Mbrëmjen e 29 korrikut, pronarja është kthyer urgjentisht nga Gjermania, pasi ishte njoftuar për vjedhjen. Gjatë inventarizimit të plotë, ajo ka deklaruar para hetuesve se autorët kishin marrë edhe stoli ari, duke bërë që vlera totale e sendeve të vjedhura të arrijë rreth 20 mijë euro.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë sërish hetuesit rajonalë, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është marrë në trajtim nga Hetimet Rajonale. Policia po vazhdon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vjedhjeje të rëndë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
