Një përleshje në Prishtinë ka përfunduar me plagosjen e një 52-vjeçari me thikë, ndërsa i dyshuari, një i mitur, është arrestuar pak minuta pas incidentit. Sinjali mëson se i dyshuari është K.H. 16-vjeçar , ndërsa viktimë S.D. 52-vjeçar. Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 30 korrikut, rreth orës , në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë.
Pas raportimit për një rrahje, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur viktimën me lëndime të lehta në këmbë, të shkaktuara nga një mjet i mprehtë – thikë. Ai është dërguar në QKUK, ku ka marrë trajtim mjekësor. Hetuesit kanë siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa pas veprimeve operative kanë arritur ta lokalizojnë të dyshuarin.
Gjatë kontrollit trupor, atij i është gjetur dhe sekuestruar thika që dyshohet se është përdorur në sulm. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të miturit është iniciuar rasti për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa ai është ndaluar për 24 orë. Hetimet për rastin janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
