Shkëmbimi amerikan i kriptomonedhave Coinbase raportoi humbje neto për tremujorin e dytë të vitit 2026, ndërsa të ardhurat totale ranë për të tretin tremujor radhazi, si pasojë e dobësimit të kushteve në tregun e kriptovalutave raporton AA, transmeton KosovaPress.
Sipas rezultateve financiare të publikuara të enjten në mbrëmje, kompania gjeneroi 1.22 miliardë dollarë të ardhura gjatë periudhës prill-qershor, një rënie prej 14% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ky është tremujori i tretë radhazi me rënie të të ardhurave, të cilat kanë zbritur vazhdimisht nga kulmi prej 1.86 miliardë dollarësh, i arritur në tremujorin e tretë të vitit 2025.
Coinbase regjistroi një humbje neto prej 359.5 milionë dollarësh në tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me një fitim neto prej 1.42 miliardë dollarësh në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat nga transaksionet ranë me 21% në baza tremujore, duke zbritur në 599.2 milionë dollarë. Ndërkohë, të ardhurat nga abonimet dhe shërbimet u ulën me 5%, në 555.1 milionë dollarë.
Gjithashtu, vëllimi total i tregtimit në vend të kriptomonedhave në treg ra me 25% krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Megjithatë, pavarësisht sfidave të përgjithshme të tregut, Coinbase arriti të rrisë pjesën e saj në tregun global të tregtimit të kriptomonedhave në një nivel rekord prej 10.3%.
Platforma theksoi gjithashtu rritjen e shpejtë të segmentit të saj të tregjeve të parashikimeve, i cili gjatë tremujorit të dytë tejkaloi 100 milionë dollarë të ardhura të për vit.
