Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar se ka informacione për iniciativa në Gjykatën Kushtetuese që synojnë hapjen e çështjeve të lidhura me Tribunalin e Hagës dhe ngritjen e akuzave ndaj Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Në një paraqitje në “KohaCast”, Ahmeti tha se këto janë çështje të mbyllura prej më shumë se dy dekadash dhe paralajmëroi se rikthimi i tyre do të mund të hapte plagë të vjetra. “Kam informacione që ka iniciativa në Gjykatën Kushtetuese për të hapur çështjet e Tribunalit të Hagës, për t’u paditur Ushtria Çlirimtare Kombëtare për krime lufte”, deklaroi ai.
Ahmeti tha se nuk ndihet i frikësuar nga këto iniciativa, por theksoi se rikthimi te çështjet e së kaluarës mund të shkaktojë dhimbje të reja. “Nuk është se më frikëson, por të hapësh plagë të vjetra, dhimbja është më e madhe sesa kur hapet një plagë e re. Janë çështje që i kemi mbyllur para më shumë se 20 vjetësh”, tha Ahmeti. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!