Pikërisht në ditën kur zyrtarisht filloi gërmimi për një varrezë masive të shqiptarëve në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë, vendit që i fshehu ata që i vrau vet, u rishfaq me gjuhë prej viktime. Aleksandar Vuçiq tha të enjten se janë autoritetet kosovare ato që po bëjnë terror ndaj qytetarëve serbë.
Kjo, derisa foli për operacionin për rrënimin e objekteve ilegale përreth liqenit të Ujmanit, por edhe për vendimin e qeverisë së Kosovës që nga 1 gushti të gjitha turet nëpër objektet e trashëgimisë kulturore, historike e fetare të udhëhiqen vetëm nga ciceronët e certifikuar.
“Terrori i Prishtinës po vazhdon, por asnjë terror nuk ka zgjatur përgjithmonë”, tha ai gjatë qëndrimit në komunën e Çaçakut. Si të tilla, ish-zyrtari I lartë I Partisë Radikale Serbe, po I vlerëson edhe punimet që pushteti local po I bën në sanimin e rrugëve në Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit. “Ata vazhdimisht shpikin diçka të re.
Kur u është dashur të pranojnë vendime gjyqësore, sepse gjithçka varej prej tyre, në lidhje me evropianët, amerikanët e kështu me radhë, ata i pranuan me forcë, duke pritur një mundësi të re për të ngacmuar murgjit tanë në Manastirin e Deçanit”, tha Vuçiç.
Komuna e Deçanit ka sqaruar se punimet në rrugët malore në Zonën e Veçant në fjalë kanë të bëjnë vetëm me mbushjen e gropave, heqjen e vegjetacionit dhe të shkurreve, si dhe largimin e pluhurit të grumbulluar përgjatë rrugës.
Edhe në aksionin te Ujmani, bëhet fjalë për vazhdimin e aksionit të inspektoratit për rrënimin e objekteve ilegale që nuk janë larguar brenda afatit të dhënë nga ndërmarrja “Ibër – Lepenc”.
Për më tepër, akuzat e Vuçiqit, vijnë pikërisht në ditën kur ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e akuzoi për moszbulim të vendndodhjes së shqiptarëve të vrarë dhe të zhdukur, si dhe për mos-hapjen arkivave që do t’i zbardhnin krimet e luftës.
