Albana Vokshi, ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, sipas të cilit Shqipëria dhe Serbia kanë rënë dakord në parim për hapjen e konsullatave në Shkodër dhe Bujanoc. Përmes një reagimi publik, Vokshi deklaroi se, nëse ky informacion rezulton i vërtetë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duhet të japë dorëheqjen.
Sipas saj, hapja e një konsullate serbe në Shkodër nuk është një çështje teknike, por një vendim me pasoja politike, diplomatike dhe strategjike për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin.
Vokshi argumenton se nuk ekzistojnë kushtet që justifikojnë një përfaqësi konsullore serbe në Shkodër, duke iu referuar të dhënave të Censit 2023, sipas të cilave në qarkun e Shkodrës janë vetëdeklaruar vetëm 54 shtetas me etni serbe.
Në të kundërt, ajo thekson se në Luginën e Preshevës jetojnë dhjetëra mijëra shqiptarë, të cilët, sipas saj, përballen prej vitesh me diskriminim dhe mohim të të drejtave.
Deputetja demokrate shprehet gjithashtu kritike për faktin që, sipas saj, ministri Ferit Hoxha nuk reagoi ndaj deklaratave të fundit të zyrtarëve serbë për Kosovën dhe se informacioni për marrëveshjen e pretenduar u bë publik fillimisht nga pala serbe.
Në reagimin e saj, Vokshi i drejton disa pyetje ministrit të Jashtëm, duke kërkuar të dijë nëse është arritur një dakordësi për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, kush e ka autorizuar një vendim të tillë, nëse janë konsultuar institucionet shqiptare dhe autoritetet e Kosovës, si dhe cili është interesi konkret i Shqipërisë.
Ajo thekson se politika e jashtme duhet të zhvillohet me transparencë dhe në koordinim të ngushtë me Kosovën, duke shtuar se çdo vendim në raport me Serbinë duhet të peshohet me përgjegjësi maksimale.
