Hoteli “Jezero” u bë rrafsh me tokë të enjten, duke u bërë objekti i 17-të i rrënuar përskaj liqenit të Ujmanit, me arsytetimin se është ndërtim pa leje në pronën e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”. Shifrën e këtyre rrënimeve e konfirmoi sot ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli. “Përrreth Liqenit të Ujmanit deri tash janë rrënuar 17 objekte/villa.
Ky aksion do të vazhdojë pa kompromis dhe do të shtrihet edhe në pjesë të tjera të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së pronës publike dhe zbatimit të ligjit”, bëri me dije ajo në një postim në faqen zyrtare në Facebook. “Mbrojtja e ujërave mbetet prioriteti ynë kryesor.
Për këtë arsye, do të vazhdojmë t’i mbrojmë, t’i menaxhojmë me përgjegjësi dhe t’i zhvillojmë si një pasuri jetike për Kosovën”- ka vazhduar ajo. Megjithatë, aksioni është përcjellë edhe me reagime nga një pjesë e komunitetit lokal, të cilët pretendojnë se vendimet për rrënimin e objekteve janë marrë në mënyrë të ngutshme dhe pa bazë ligjore.
Madje, reagime pati edhe në Serbi, duke nisur nga hiq më pak se presidenti i saj, Aleksandar Vuçciq. Por, pavarësisht këtyre reagimeve, në terren nuk pati asnjë incident, as këtë të premte.
Shefi i planifikimit në kuadër të Operativës Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Erduan Baliqi, tha për kp se Policia ka ofruar asistencë për institucionet përgjegjëse gjatë zhvillimit të aksionit dhe se gjithçka ka kaluar pa incidente.
Erduan Baliqi, shefi i planifikimit të Operativës Rajonale Mitrovicë – Veri “Ne kemi asistuar Ndërmarrjen Hidroekonomike ‘Ibër-Lepenc’ dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë realizimit të aksionit. Nuk kemi hasur në ndonjë rezistencë, nuk kemi pasur ndonjë problem apo kundërshtim” , tha Baliqi.
Rrënimet e objekteve ilegale nisën javën e kaluar, pas fushatës paralajmëruese të drejtuesve të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”
