Ka përfunduar procesi i votimit në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku delegatët kanë votuar lidhur me kërkesën e një pjese të tyre për shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku. Pas përfundimit të votimit, janë hapur kutitë dhe ka nisur procesi i numërimit të votave.
Rezultati pritet të përcaktojë nëse kërkesa për shkarkimin e Abdixhikut do të marrë mbështetjen e nevojshme nga delegatët e Kuvendit. Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së është shoqëruar me debate dhe përplasje mes delegatëve, ndërsa diskutimet në sallë u ndërprenë para kalimit në fazën e votimit.
Gjatë ditës, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, deklaroi se procesi i votimit po zhvillohej qetë dhe në mënyrë demokratike, duke bërë të ditur se disa degë tashmë e kishin përfunduar votimin. Tashmë vëmendja është përqendruar te numërimi i votave dhe publikimi i rezultatit përfundimtar të këtij procesi brenda LDK-së.
