Shpërndaje në: Inspektorati Qendror i Punës ka njoftuar për ndalimin e punës në dy kantiere ndërtimi në dy raste të ndara. Njëra është ndaluar në Komunën e Podujevës ndërsa tjetra në Shtime. Ndërsa në Ferizaj është hapur rast në Policinë e Kosovës sepse nuk po respektohej ndalesa e mëparshme.
Puna në kantieret e ndërtimit në Podujevë dhe Shtime është ndaluar deri në eliminimin e parregullsive të evidentuara. “Në rastin në Komunën e Ferizajt, është hapur rast në Policinë e Kosovës, për dëmtimin e shiritit ndalues, pasi punëdhënësi, edhe përkundër vendimit në fuqi për ndalimin e punimeve, ka vazhduar punën në kundërshtim me urdhrin e inspektorit.
Masat e ndërmarra synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për punëtorët”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Inspektoratit të Punës. Gjatë ditës, ministri në detyrë i Punës, Andin Hoti, njoftoi se inspektimi tash e tutje ka kaluar në mënyrë digjitale dhe do të përfshihen edhe dronët për inspektim.
Këtë vit, siç ka njoftuar Inspektorati Qendror i Punës, numri i vdekjeve në vendin e punës ka shkuar në 12 persona.
