E ardhmja e Hakan Çalhanoglut mund të jetë sërish në Turqi. Sipas raportimeve të fundit, Fenerbahçe ka vendosur ta bëjë mesfushorin e Interit një nga objektivat kryesorë të afatit kalimtar të verës dhe kontaktet e para mes palëve tashmë kanë nisur.
Sipas mediave turke, drejtuesit e Fenerbahçes kanë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e lojtarit për ta kuptuar nëse ekziston mundësia e një transferimi në Stamboll. Lajmet bëjnë të ditur se vetë Çalhanoglu nuk e përjashton këtë opsion dhe është i hapur për t’u rikthyer në vendlindje, nëse arrihet një marrëveshje mes klubeve. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet Interi.
Klubi zikaltër nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtësisht nga kapiteni i kombëtares turke, i cili konsiderohet një nga liderët e skuadrës së Cristian Chivut. Drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio, ka qenë i qartë për situatën e mesfushorit. “Ne duam ta mbajmë Çalhanoglun në skuadër.
Ai ka kontratë me Interin dhe nuk besoj se këto spekulime do ta kenë ndonjë pasojë.” Sipas “Goal”, Fenerbahçe po e përgatit një ofertë zyrtare, ndërsa lojtari e sheh me interes mundësinë për të luajtur në Superligën turke.
Megjithatë, çdo negociatë do të varet nga kërkesat ekonomike të Interit, i cili nuk dëshiron ta humbasë njërin nga futbollistët më të rëndësishëm të repartit të mesfushës. Çalhanoglu e zhvilloi një sezon shumë të mirë me Interin, duke qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës.
Pikërisht për këtë arsye, Zikaltërit nuk janë të gatshëm ta lënë të largohet pa një ofertë që do ta kënaqte klubin financiarisht.
