Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj M. J., dhe M. B., të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok në vitin 1999. Këtë për KALLXO.com e ka bërë të ditur Arbnora Luta, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale. Sipas Prokurorisë, M. J., dhe M.
B., dyshohen se gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, më saktësisht gjatë vitit 1999, kanë kryer krime ndaj popullatës civile, në rajonin e Mitrovicës. Prokuroria Speciale ka njoftuar se hetimet për rastin janë në zhvillim, dhe në këtë fazë nuk do të ketë më shumë detaje publike, për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës penale.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, ka ndaluar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të sanksionuar me nenin 142, lidhur me nenin 22 të të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Për arrestimin e dy të dyshuarëve kishte njoftuar edhe Policia e Kosovës . Sipas njoftimit të kësaj të fundit, të lartëcekurit dyshohen se kanë marrë pjesë më në masakrën në Zubin Potok ku janë vrarë 23 civilë shqiptarë.
