Komuna e Skenderajt ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime për lirimin e hapësirës pranë sheshit nga automjetet, me qëllim të përmirësimit të qasjes për qytetarët dhe rritjes së sigurisë së këmbësorëve. Sipas njoftimit, iniciativa është ndërmarrë me koordinimin e drejtorit të Shërbimeve Publike, Arber Geci, dhe drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Granit Musliu.
Komuna ka bërë të ditur se nga sot në këtë hapësirë ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve, ndërsa zona do të jetë e dedikuar ekskluzivisht për lëvizjen e këmbësorëve. Ky vendim, sipas Komunës, synon mbrojtjen e hapësirave publike, krijimin e një ambienti më të sigurt dhe përmirësimin e shfrytëzimit të zonës nga qytetarët.
Komuna e Skenderajt u ka bërë thirrje qytetarëve që ta respektojnë vendimin dhe të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe hapësirave publike, të cilat janë në shërbim të të gjithë banorëve.
