Inspektorati i Ndërtimit i Ferizajt e ka gjobitur dy herë brenda pak ditësh Etrit Feratin si person përgjegjës për nisjen dhe vazhdimin e mbindërtimit në një objekt shumëkatësh në rrugën “Ahmet Kaçiku” afër stacionit të trenit. Vendosja e profileve metalike horizontalisht dhe vertikalisht gjatë javës së kaluar mbi objektin prej nëntë katesh ka vazhduar edhe gjatë kësaj fillimjave.
Inspektorati komunal i Ndërtimit ia kishte shqiptuar gjobën e parë prej 500 eurove. Shqiptimin e gjobave e ka konfirmuar të mërkurën () udhëheqësi i Sektorit për Inspektime në Komunën e Ferizajt, Feriz Hyseni. “Gjatë inspektimit është konstatuar se personi në fjalë nuk posedon leje ndërtimi.
Pala pretendon se ka aplikuar për leje për mbindërtim, mirëpo nuk ka të dhëna të konfirmuara që dëshmojnë se është paraqitur një kërkesë për leje mbindërtimi pranë Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit”, ka thënë Hyseni të mërkurën () në përgjigjet për KALLXO.com.
“Për këtë arsye, me vendim të Inspektoratit janë ndaluar punimet dhe është shqiptuar gjobë ndaj personit përgjegjës, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ai. Xhemail Ferati, babai i Etrit Feratit, ka thënë të martën () në fillim të bisedës telefonike për KALLXO.com se punimet nuk kanë filluar fare.
“Jo, s’i kena nisë punimet, kush tha që i kena nisë punimet, leje kush t’i çon videot, leji ato”, ka thënë Xhemail Ferati. “Unë i kam kushtet, lejen hala s’e kam marrë, por kushtet i kam marrë”, ka thënë Xhemail Ferati, duke pretenduar se nuk ishte bërë kurrfarë mbindërtimi.
Drejtori i Urbanizmit dhe i Mjedisit në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyçi, ka thënë të martën për KALLXO.com se Xhemail Feratit ia ka bërë të qartë në zyrën e tij se nuk mund të pajiset me leje mbindërtimi.
“Ligjërisht, nuk e di a ka kërkesë, a nuk ka kërkesë, mundet me pasë, por në takimet që i kam pasur me palën në zyrën time, ia kam adresu që nuk mundet me u pajis me leje ndërtimore për shkak se ka tejkalim të koeficientit”, ka thënë Bytyçi. Reagimin e Komunës së Ferizajt e ka kërkuar publikisht rrjeti i organizatave joqeveritare, AVONET.
“Çdo mbindërtim mbi objekte të ndërtuara, sipas kritereve teknike dhe lejeve të ndërtimit, krijon rrezik serioz për stabilitetin e objektit, sigurinë e banorëve dhe të qytetarëve”, thuhet në reagimin e AVONET-it. “Veprime të tilla janë të ndaluara nga legjislacioni në fuqi dhe nuk mund të tolerohen në një shtet që synon të zbatojë sundimin e ligjit”, thuhet tutje në reagimin e tyre.
Ekipi i KALLXO.com me fotografi të shkrepura të hënën () dhe të mërkurën (), ka pasqyruar se është bërë vendosja e disa profileve të tjera metalike horizontale e vertifikale.
Objekti i fotografuar më Objekti i fotografuar më Edhe Inspektorati komunal i Ndërtimit ka konfirmuar për KALLXO.com se pas informacioneve se po vazhdon mbindërtimi, inspektorët kanë konstatuar se me vinç janë shpërndarë disa shtylla metalike. “Sipas deklarimit të palës, kjo është bërë për arsye sigurie, pasi shtyllat metalike ishin të grumbulluara në një vend, gjë që paraqiste rrezik.
Megjithatë, edhe për shkak të shpërndarjes së shtyllave metalike nëpër objekt, Inspektorati ka shqiptuar sërish gjobë”, ka thënë Ferizi, udhëheqësi i Sektorit për Inspektime në Komunën e Ferizajt.
Ai ka thënë se gjatë inspektimit nuk janë hasur punëtorë duke punuar dhe se janë vendosur shenjat për ndalimin e punimeve, duke “urdhëruar personin përgjegjës që të respektojë vendimin për ndalimin e punimeve”.
Feriz Hyseni, kryeinspektori komunal i Ferizajt, ka thënë për KALLXO.com se Inspektorati komunal i Ndërtimit do t’i ndjekë procedurat ligjore në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin në fuqi.
“Në rast të mosrespektimit të vendimit për ndalimin e punimeve dhe vazhdimit të punimeve pa leje ndërtimi nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mjedisit, Inspektorati i Ndërtimit do të paraqesë kallëzim penal ndaj personit përgjegjës në Prokurorinë Themelore në Ferizaj”, ka thënë Hyseni.
