Edon Zhegrova është rikthyer në stërvitje me Juventusin, pasi ka lënë pas ngarkesën fizike që e mbajti për disa ditë jashtë grupit. Reprezentuesi i Kosovës kishte munguar edhe në ndeshjen miqësore ndaj Standard Liezhit, me stafin teknik që vendosi të mos rrezikojë për shkak të lodhjes së akumuluar gjatë fazës përgatitore.
Të mërkurën, Zhegrova iu bashkua pjesës tjetër të skuadrës në seancën stërvitore, së bashku me Kenan Yildizin. Të dy futbollistët zhvilluan një pjesë të stërvitjes me grupin, duke dhënë sinjale pozitive se janë pranë rikthimit të plotë në dispozicion të trajnerit Luciano Spalletti.
Kthimi i tyre konsiderohet një lajm i mirë për teknikun italian, i cili vazhdon përgatitjet për sezonin e ri dhe llogarit në shërbimet e dy lojtarëve në repartin ofensiv. Zhegrova iu bashkua Juventusit verën e kaluar nga Lille, por në sezonin e tij të parë në Serie A nuk arriti të sigurojë hapësirat që priteshin.
Megjithatë, Spalletti vazhdon t’i besojë futbollistit kosovar dhe ai pritet të jetë pjesë e projektit të klubit edhe për edicionin 2026/27. 27-vjeçari ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2030.
