Liverpooli ka nisur përpjekjet për të siguruar zëvendësuesin afatgjatë të Mohamed Salahut, ndërsa klubi anglez po përgatit ofertën e parë për anësorin e Paris Saint-Germainit, Bradley Barcola. Trajneri i “Reds”, Andoni Iraola, ka bërë të qartë se skuadra ka nevojë për një tjetër sulmues krahu gjatë këtij afati kalimtar, pavarësisht afrimit të Victor Munoz.
Sipas raportimeve, Liverpooli tashmë ka nisur punën për transferimin e Barcolas dhe beson se lojtari është i interesuar për një kalim në “Anfield”. Francezi thuhet se ka zhvilluar bisedime me drejtuesit e klubit dhe trajnerin Iraola, ndërsa pengesa kryesore mbetet marrëveshja me Paris Saint-Germainin.
Kampionët e Evropës raportohet se kërkojnë rreth 170 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit, një shumë që Liverpooli e konsideron të lartë, sidomos duke pasur parasysh se kontrata e Barcolas me PSG-në skadon në verën e vitit 2028.
Sipas “talkSPORT”, në rast se nuk arrihet marrëveshja për Barcolan, Liverpooli ka identifikuar si alternativë “ëndërr” anësorin e Bournemouthit, Rayan. 19-vjeçari brazilian ka lënë përshtypje të mëdha që prej transferimit te Bournemouthi në janar, duke shënuar pesë gola dhe duke dhuruar dy asistime në 15 paraqitje në Premier League.
Ai vlerësohet si një talent me potencial të madh dhe klauzola e tij e lirimit prej 85 milionë funtesh do të aktivizohet në vitin 2027. Përveç Rayanit, Liverpooli ka në listën e objektivave edhe lojtarë si Said El Mala i Kolnit, Matias Fernandez-Pardo i Lille dhe Yankuba Minteh i Brightonit. Megjithatë, Barcola mbetet objektivi kryesor i klubit nga “Anfield”.
Liverpooli raportohet se vlerëson transferimin e tij rreth 80 milionë funtesh dhe nuk ka ndërmend të paguajë një shumë të ekzagjeruar në një treg të fryrë. Klubi anglez pritet të insistojë se kontrata e Barcolas me PSG-në nuk është afër rinovimit, ndërsa parisienët do të bazohen në çmimet e larta të paguara për lojtarë të tjerë këtë verë për të justifikuar kërkesat e tyre financiare.
