Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri ka reaguar publikisht lidhur me iniciativën për ndërtimin e një kishe katolike në një zonë ku sipas tij nuk jeton asnjë besimtar i besimit katolik.
Në reagimin e publikuar, KBI-ja shpreh shqetësimin se projekti ngre dilema nëse buron nga një nevojë reale fetare apo nga motive të tjera, duke theksuar se objektet e kultit duhet të ndërtohen për t’u shërbyer besimtarëve dhe nevojave të tyre shpirtërore.
Sipas KBI-së, Vushtrria është njohur ndër shekuj për harmoninë dhe respektin ndërfetar, ndërsa çdo nismë që mund të perceptohet si provokuese ose që cenon ndjenjat e komunitetit duhet të trajtohet me përgjegjësi dhe maturi.
Në reagim thuhet gjithashtu se kjo iniciativë po mbështetet nga individë dhe grupe që, sipas KBI-së, janë të njohur për retorikë përçarëse dhe nxitje të urrejtjes ndërfetare, çka, sipas tyre, e shton shqetësimin rreth kësaj çështjeje.
KBI në Vushtrri vlerëson se ndërtimi i një objekti kulti në një zonë ku nuk ka besimtarë të atij komuniteti dhe pa një nevojë të qartë fetare krijon përshtypjen se projekti mund të ketë karakter më shumë politik sesa fetar. Për këtë arsye, kërkon transparencë të plotë lidhur me arsyet, qëllimin dhe interesin publik të nismës.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që vendimet të merren mbi bazën e nevojave reale të qytetarëve, duke ruajtur harmoninë ndërfetare, respektin e ndërsjellë dhe traditën e bashkëjetesës, duke theksuar se toleranca ndërfetare ndërtohet përmes dialogut, mirëkuptimit dhe respektit për çdo komunitet fetar.
