Rruga që të çon drejt komunës së Zubin Potokut, është një rrugë e ngushtë që përshkon malet, e gjatë rreth 20 kilometra nga qyteti deri në fshatin Kalludër. Përveç se është një rrugë e ngushtë, ku dy vetura mezi mund të kalojnë pranë njëra-tjetrës, kjo nuk është thjesht një rrugë mes maleve. Është një rrugë që të çon drejt një prej plagëve më të rënda të luftës në Kosovë.
Në këtë hapësirë të izoluar, në fshatin Kalludër të Zubin Potokut dyshohet se janë fshehur gjurmët e një prej krimeve më të mëdha të kryera nga forcat serbe gjatë luftës. Në këtë nën tokë dyshohet se prehen mbetjet mortore të një grupi shqiptarësh të rrëmbyer më , të njohur si “Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”.
Megjithatë, për zbulimin e këtij vendi misterioz që vetëm kriminelët serbë kanë ditur t’i fshehin trupat e të vrarëve, kanë reaguar bartës të institucioneve të vendit. Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së varrit masiv në fshatin Kalludër, në Zubin Potok.
Ajo ka thënë se ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës. Kryeministri detyrë Albin Kurti, ka deklaruar se çdo gërmim dhe identifikim është një hapë drejt së vërtetës dhe drejtësisë.
“Dje në fshatin Kalludër në Zubin Porok kanë nisur gërmimet në një lokacion ku dyshohet se ekziston një varrezë masive. Në terren janë angazhuar ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, me mbështetjen e EULEX-it. Ky fakt na kujton se për shumë familje lufta nuk ka përfunduar, përderisa ende nuk janë gjetur personat më të dashur të tyre.
Për qindra familje pritja vazhdon. Për to, çdo gërmim është shpresë. Çdo identifikim është një hap drejt së vërtetës dhe drejtësisë”, ka thënë Kurti. Përveç policisë, përfaqësuesve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, autoriteteve përgjegjëse, në vendin e dyshuar të krimit prezent ishte edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Ajo tha se mbi 1,500 familje presin ende lajmin për të afërmit e tyre. Ndërkohë, Prokuroria Speciale sot ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
“Prokuroria Speciale është e përkushtuar që ta hetojë këtë rast dhe t’i zbardhë të gjitha rrethanat e tij, në përputhje me ligjin dhe standardet më të larta profesionale. Me qëllim të ruajtjes së procedurës hetimore, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, ka deklaruar Nora Luta, zëdhënëse e Prokurorisë Speciale.
Edhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, rikujtoi se më kishte marrë pjesë në gërmimet e zhvilluara në fshatin Mala Jabuka të Zveçanit, në kërkim të mbetjeve mortore të 23 intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur gjatë luftës.
Ai tha se gjetja e mbetjeve mortore më në Zubin Potok, të cilat dyshohet se u përkasin atyre, përbën një hap të rëndësishëm, por theksoi se hetimet duhet të përmbyllen me aktakuzë dhe aktgjykim, për të dokumentuar dhe dëshmuar krimet e kryera dhe fshehjen e tyre nga aparati shtetëror serb.
