Ima atë u zgjua nga varri rrezë “ҫuke” në katund

0%

Ditë. Dielli dy shkopinj mbi Sharrin Plak në perëndim e kishte kapur në grusht Kryeqendrën kulturore të shqiptarëve, dhe Qytetin e dy Universiteteve. Matanë maleve kullosnin dhentë. Ujku në një përrua u kishte vënë pusi. Bariu i biente fyellit. Ama, ia kishte marrë një kënge, që gjithë Qytetin sikur donte ta zgjonte nga gjumi: O çobani tatës, bre djal, O çobani tatës, bre djal!

Holli dhentë kënë vathës. Medet -o Haj, haaaj. Holli dhentë kënë vathës -o! Vapë e madhe. Rrugët në zjarr. Shtëpitë. Qielli në flakë. Nguteshin njerëzit si pa kokë. Ecnin. Një Zot e di për ku, në lindje apo vdekje. Me dy e katër këmbë. Ndonjëri e hiqte veten edhe zvarrë nëpër bërllok. Lumi larg. Dielli larg. Liria edhe më larg matanё maleve… – Hë, si të duket?!

A ta mbusha syrin, që ta shkruajmë edhe librin e dytë: Gratë e mia besnike?! Më tha, Djemnusha me dy gota raki rrushi dhe dy shtama me verë të kuqe përpara mbi tavolinё. – Nuk e di. Me siguri siç duket, edhe Ty të ka përzënë Partia. Të provojmë. – Partia, po. Vetëm ti me siguri nuk do të më përzësh si ajo kurvë?!… – Jo, vogëlushe.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Unë nuk jam i keq si Nëna Parti me atë kope “patriotësh“ me qerre kuqezi, që vuajnë për Atdheun. E duan DoktorZiun… Dhe, nisi lufta. Armët i nxorrëm nga brezi. Një Zot e di, sa viktima do të bien dëshmorë. Edhe tradhtarë. Spiunë. Patriotë të vonuar melezë… Hoxhallarë… Priftërinj… Imzot, me siguri do të ketë në këtë luftë heroike. Po. Edhe, secili më trim se i shoqi…

Dhe, herët në mëngjes në ora 6.00 me dt. , Ditën e pranverës më erdhi një mesazh në telefonin celular të xhepit: O Zot! Ishalla e zbulon. Jo për të vazhduar bashkë. Por, më dhembë akuza e pabazë. Zot i madh, zbuloje atë njeri! Atëherë, do të të besoj pa kufi. Shpirt i gjyshes më ndihmo! Engjëlli im më mungon… Shkup, Dhe, në mëngjes u zgjova para Diellit.

I fërkova sytë me duar, i bërtita Qiellit: Edhe unë jam i çmendur! – Hi-hii-hiii… Im Atë, kurrë nuk pushoi së fantazuari për ta gjetur Lirinë me armë në brez dhe duar edhe maleve… – E gjeti? – Punë përrallash. Ik, ore ëndërrime… Tashti e kuptova. Dhe, erdha në përfundim se, Liria qenka grua. Përmëkeq, një grua kurtizane, që me vite e shekuj i turremi përmbrapa ne shqiptarët.

E kam fjalën për burrat. Gratë nuk i turren Lirisë. Shkaku se, nuk duan të jenë lezbejka të çmendura, në shtrat. – Hi-hii-hiii… E ku e di ti se Liria nuk është lezbejkë?! Edhe atë, e çmendur përtej kufiri, që nuk e mban dot as kandari i Ҫajupit… – Jo, nuk e di.

Po, them kot se, nuk do t’i turreshin burrat me pushkë në dorë e kollanë me fishekë përqafe përmbrapa me ditë, muaj, vite e shekuj nëpër male… –Po. – Dhe, ende nuk e zuri asnjë burrë në livadh… Fushë… Ose, mal… – Jo, nuk e zuri… – Dhe, e di se pse, asnjë burrë, grua nuk e rrëzoi në shtrat, pasmesnate?!… – Edhe këtë nuk e di.

Po, a e di se, shumë burra e gra nateditë e kanë ndjekur edhe maleve me armë në dorë?!… – E di. Kalosh Zajazi me mauzerr në dorë e ndoqi maleve të Kërçovës, në Kosovë e Shqipëri. Sulltanë Qafa me gërshërë të dhenëve, te Pragu i Shtëpisë. Bajram Curri, përpak ia ngriti këmbët në hava pas një gardhi, në Shpellën e Dragobisë. Edhe Isë Boletini i vuri pusi me dy kobure në Londër…

Azem Bejta, po të mos e kishte me vete Shotë Galicën, Nusen e maleve me siguri do ta rrëzonte pas ndonjë trungu lisi… – Hi-hii-hiii… Dhe, përsëri shqiptarët ende nuk e rrëzuan në shtrat Lirinë… – Jo. Edhe sot e kësaj dite. Iu turrën përmbrapa me të gjitha armët: shpatë, pushkë, bomba e topa… U ka mbetur pa e provuar edhe armën e fundit, Kandarin e Ҫajupit…

Dhe, dhashtë Zoti një ditë e kapin në dorë maleve edhe këtë armë historike – artistike! – Hi-hii- hiii… E, atëherë, Liria qenka kurvë?!… Buçë Katundi, që ku ta dimë ne me cilët kurvarë e lëvizë bishtin në Ditën e Sotme… – Mundet. Tatëmadhja, njëherë i bëri edhe maxhi. E shkriu plumbin në një enë me ujë e eshtra…

I fryu, në fytyrë ta shpëtojë nga mëkatet… – Dhe, përsëri nuk e zunë magjitë?! – Jo. – Atëherë, duhet bërë hajmali te Hoxha i Katundit, që një ditë fluturoi nga minarja… – Jo, ore… Lirinë duhet dërguar te Baba Shehu, në Tyrbe t’ia hudhë këmishën e gjatë të mëndafshit me oja e tel mbi kokë mesdite me Hënë në “Baba Tomor”. E përzura Nusen me pashterkë të kuqe, dhe e mora Lirinë për grua.

Nëna përsëri e rroku dajren te pragu i derës për zbritjen e Nuses me krushka nga koçia në lëmë. Babai, e nxorri mauzerrin nga hatullat dhe qiti pushkë. Edhe në këtë Shtëpi më në fund erdhi një grua azgane nga fisi, Liria… Zanë mali… Një javë, fshehur nën hatulla e pastrova mauzerrin e Babait. Rripat e lekurës i mbusha me fishekë dum-dumë. Bombat i futa nëpër xhepat e strukes.

Dera u hap, dhe hyri im Atë i armatosur deri më dhëmbë. U tremba. Thashë me vete: Tashti, pasi u zgjua nga Varri, i ka ardhur te hunda me mua sugarin nga zemërimi, dhe do të mi shkrepi të gjithë fishekët e mauzerrit në lule të ballit… Përçudi, buzëqeshi me ato mustaqe vesh më vesh. Dhe, kësulën e bardhë të Bjram Currit në kokë.

U ulë si gjithmonë në shkamin e vet me tri kambë, mbuluar me lëkurë ogiçi pranë oxhakut. Mauzerrin e mori në prehër. – Dhe, më në fund erdhi edhe në këtë shtëpi Nusja e maleve… Liria… – Po, baba. Ashtu thonë në Katund… Rrugë të gjatë bëri nëpër male… – Edhe nëpër fusha… Dhe, nuk e di sesi e gjeti rrugën mes atyre shkurrave? – Jo, baba. Edhe sot e kësaj dite.

Nuk e di nga cila anë zbriti me koçi maleve… – Mendohu pak, o bir! E ke thënë shpesh mes atyre rreshtave, nëpër libra… – Kot. Nuk ma pret mendja gjithë ditën, gjithë natën… Prit pak, mu kujtua: është “Çelvjollca”, mali që prek qiellin me kokë… – “Çelvjollca” është pra, dhe dëgjoje këtë rrëfim deri në fund, po të duash fute edhe në libër!

E di ti, o bir se: kush ka qenë Kalosh Zajazi, emrin e të cilit e mban ti si shkrimtar… Sulltanë Qafa… Bajram Curri… Isa Boletini… Dhe, Shotë e Azem Bejta – Galica? – Po, e di, baba. Kaçaku i maleve. – E, Shotë Galica? – Edhe këtë e di: Nusja e maleve… – Dhe, a e di ti se: Azem Bejta, Shotën e mori me vete në male? – Edhe këtë e di. Shkaku se i duhej grua edhe në male…

E veshi edhe si burrë me tirqi e xhamadan… Kësulë të bardhë në kokë… – E vërtetëtë. Po, por ta dinte Azem Galica, se: Shotë do t’ia kalonte me trimëri në luftë, nuk do ta merrte me vete në malet e ashpëra me borë… – Qindpërqind, baba. Burrat janë xhelozë ndaj grave burrënesha me armë në brez maleve. – Mirë, ta zëmë se është ashtu siç thua ti shkrimtari…

Po, nuk është ky qëllimi i ardhjes sime nga varret… Qëllimi im është, se: Sot, shqipëtarëve u duhet një Teutë mbretëreshë. E di ti se, kur shqiptarët kanë qenë shtet i fuqishëm në botë me të gjitha nishanet?!… – Po, e di. Moti, në kohën e Ilirisë… Teuta kur ka qenë mbretëreshë… – Ehu, biro!

Shqipëtarëve u duhet mu ajo Teutë mbretëreshë Ilire, e jo këto Teutat e sotshme kuqezi, dhe Skënderbegat që i keni ju nëpër parti politike vetëm për poste, kabinete në Qeveri… Dhe, pasi e tha këtë u ngritë i zemruar, e hodhi mauzerrin në krah dhe ma përplasi derën, doli në Lëmë… Matanë hekurave të dritareve, në errësirë i dëgjova njëra pas tjetrës, tri krisma pushke me jehonë…

Zërin e tyre majë Dy Lisave binjakë, Nënat, ku i përshkonin femijët pëmes Livadhit të Babait te Guri i Zi, në “Çukë” … Dhe, lehjen e qenëve nëpër natë…

Burimi: Bota Sot