Gashi heq nga rendi i ditës ligjin për “Shkupi 2028”, opozita akuzon

0%

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot e hoqi nga rendi i ditës i seancës së 119-të propozim-ligjin për zbatimin e projektit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, i cili duhej të votohej me procedurë të shkurtuar.

Propozim-ligji në fjalë është dorëzuar nga një grup deputetësh të OBRM-PDUKM-së dhe me të parashihej që Qyteti i Shkupit të themelonte një fondacion të veçantë, i cili gjatë realizimit të prokurimeve të tij për projektin Shkupi 2028 nuk do të ishte i detyruar ta zbatonte Ligjin për Prokurimin Publik.

Propozuesit argumentojnë se për zbatimin e një projekti të tillë nevojitet një model i veçantë i menaxhimit, i cili do të sigurojë autonomi profesionale dhe programore. Megjithatë kjo hasi në reagime të shumta të opozitës dhe organizatave joqeveritare, pas çka Gashi, pas një koordinimi të jashtëzakonshëm me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, e hoqi propozim ligjin nga rendi i ditës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por, kjo nuk u prit mirë nga deputetët e opozitës. Sipas deputetit Talat Xhaferi, me këtë po shkelet Rregullorja e Kuvendit, pasi sipas tij kryetari i Kuvendit nuk ka të drejtë ta ndryshojë rendin e ditës me të cilin e ka thirrur seancën. Ai tha se kjo e drejtë i takon vetëm propozuesit të pikës së rendit të ditës.

Gashi tha se Rregullorja e Kuvendit i lejon të thërrasë seanca urgjente edhe brenda një afati më të shkurtër dhe akuzoi se seanca po bllokohet përmes procedurave parlamentare.

Edhe para koordinimit, partitë opozitare BDI, Lidhja Shqiptare dhe Aleanca për Shqiptarët reaguan se Gashi nuk po e respekton Rregulloren, se materialet nuk janë dorëzuar për shqyrtim të paktën dhjetë ditë më parë, si dhe se nuk po respektohet përdorimi i gjuhës shqipe.

Burimi: Telegrafi