Një person është arrestuar në Francë, pasi dyshohet se është paraqitur në mënyrë të rreme si psikolog dhe ka tentuar të përfitojë financiarisht nga banorët e evakuuar për shkak të zjarreve masive.
Sipas Policisë Kombëtare Franceze, i dyshuari ishte paraqitur në qendrën e evakuimit në Parc des Expositions në Bordo, ku mijëra banorë prisnin informacione për shtëpitë e tyre të lëna pas si pasojë e zjarreve. Ai u prezantua si psikolog vullnetar dhe u ofroi të prekurve seanca këshillimi me pagesë.
Autoritetet thanë se ai shtirej si profesionist dhe synonte të mashtronte njerëzit në një prej momenteve më të vështira për ta. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në paraburgim, së bashku me dy persona të tjerë që ishin arrestuar më herët nën dyshimin për vjedhjen e furnizimeve ushqimore të destinuara për banorët e prekur nga zjarret.
Ndërkohë, forcat e policisë vazhdojnë të ruajnë zonat e prekura dhe qendrat e strehimit, duke vendosur pika kontrolli në zonat e evakuimit. Në komunën Le Haillan, pranë Bordosë, një grua u ndalua pasi iu gjet një çantë me bizhuteri, mjete pune dhe sende të tjera, për të cilat nuk arriti të justifikonte origjinën. Ajo u arrestua nën dyshimin për posedim të sendeve të vjedhura.
Sipas autoriteteve franceze, që nga 6 korriku janë arrestuar gjithsej 163 persona nën dyshimin për zjarrvënie, ndërsa 15 prej tyre lidhen me zjarret aktuale dhe janë ndaluar gjatë javës së fundit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
