Biznesmeni shqiptar Ermal Beqiraj është arrestuar të martën në Francë, pasi u kap duke fluturuar me një avion të vogël civil mbi centralin bërthamor të Penly, në Normandi, në një lartësi më të ulët se ajo e lejuar. Rasti ngjalli dyshime te autoritetet franceze, të cilat, sipas mediave vendase, nuk e përjashtojnë as pistën e spiunazhit.
Sipas raportimeve të mediave franceze, që i përcjellë Top Channel, Forcat Ajrore dhe Hapësinore të Francës ndërhynë menjëherë dhe e ndaluan Beqirajn, i cili më pas iu dorëzua Xhandarmërisë së këtij shteti.
Ai është vendosur në paraburgim dhe pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në kuadër të procedurave për ekstradimin në Shqipëri. Policia e Shtetit bëri të ditur se arrestimi u konfirmua pas bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Lion.
Beqiraj kërkohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”, që është një nga hetimet më të mëdha të SPAK-ut për korrupsion në Shqipëri dhe lidhet me dyshimet për manipulimin e tenderëve publikë në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Ai është pronar i kompanisë “Soft & Solution” dhe akuzohet se ka përfituar tenderë publikë me vlerë mbi 1.1 milion euro përmes procedurave të parregullta. Hetimet e SPAK kanë çuar edhe në sekuestrimin e një jahti luksoz me vlerë rreth një milion euro, si dhe të dhjetë pasurive dhe disa llogarive bankare të tij dhe subjekteve të lidhura me të.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë truall dhe ndërtesa në Tiranë, Vlorë e Golem, si dhe biznese e automjete. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Mediat franceze raportojnë se gjatë kontrollit fizik autoritetet i gjetën tre pajisje AirTag të fshehura në rrobat e tij, transmeton Top Channel. Para hetuesve, Beqiraj ka deklaruar se kishte gabuar lartësinë e fluturimit, duke pretenduar se në atë moment po fliste në telefon me nënën e tij.
Sipas të njëjtave burime, ai ishte nisur nga qyteti Albert, kishte fluturuar drejt Calais dhe Bretanjës, përpara se të hynte në hapësirën ajrore mbi centralin bërthamor të Penly. Për shkeljen e rregullave të fluturimit, autoritetet franceze e kanë gjobitur me 7 mijë euro, përpara se ta dorëzonin tek njësitë që merren me luftën kundër krimit të organizuar.
Centrali bërthamor i Penly konsiderohet objekt strategjik në Francë, pasi aty po ndërtohen edhe reaktorët e rinj bërthamorë EPR-2, një projekt me rëndësi të veçantë për sektorin energjetik francez.
