FIFA ka hapur procedurë disiplinore ndaj Federatës Argjentinase të Futbollit pas disa incidenteve të regjistruara gjatë Kupës së Botës 2026, përfshirë edhe një mesazh politik të shfaqur nga lojtarët pas fitores në gjysmëfinale ndaj Anglisë.
Pas triumfit 2-1 në Atlanta, disa futbollistë të Argjentinës u shfaqën me një pankartë ku shkruhej “Las Malvinas son Argentinas”, duke iu referuar ishujve Falkland, territor që administrohet nga Mbretëria e Bashkuar dhe pretendohet nga Argjentina.
Sipas rregulloreve të FIFA-s, përdorimi i ndeshjeve dhe ceremonive sportive për mesazhe politike apo jashtë karakterit sportiv mund të jetë objekt i masave disiplinore.
Përveç pankartës, Federata Argjentinase po hetohet edhe për disa shkelje të tjera të mundshme, përfshirë sjellje diskriminuese, vonesa në fillimin e ndeshjeve, mosrespektim të protokolleve të sigurisë dhe hedhje të objekteve në fushë. Në procedura disiplinore janë përfshirë edhe disa lojtarë pas incidenteve në finalen e Botërorit ndaj Spanjës.
Mesfushori Leandro Paredes akuzohet për sulm fizik ndaj Eric Garcia-s, ndërsa Nahuel Molina dhe ndihmëstrajneri Roberto Ayala gjithashtu janë nën hetim për sjellje të papërshtatshme. FIFA ka njoftuar se të gjithë personat dhe palët e përfshira kanë të drejtë të paraqesin mbrojtjen e tyre, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga Komisioni Disiplinor në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
